Qeveria miraton themelimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, Ibrahimaj: Ka për synim të financojë

1 Min Read

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua ngritja e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, një institucion i ri që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe sipërmarrjen në vend.

Vendimi u prezantua nga ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e cila tha se banka do të ketë si fokus kryesor mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, financimin e projekteve infrastrukturore dhe eksportuesve shqiptarë.

“Ka për synim të financojë zhvillimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale, të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të financojë projekte infrastrukturore dhe gjithashtu të mbështesë eksportet shqiptare,” u shpreh Ibrahimaj.

Ajo shtoi se Banka Shqiptare e Zhvillimit do të luajë një rol të rëndësishëm në rritjen e konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve shqiptare në tregjet e Bashkimit Evropian, duke bashkëpunuar me institucionet financiare ndërkombëtare dhe duke shfrytëzuar fondet e dedikuara për vendet në proces anëtarësimi në BE.

Ngritja e Bankës Shqiptare të Zhvillimit pritet të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik afatgjatë dhe nxitjen e investimeve në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare.

Share This Article
Leave a Comment