Një mbrëmje për t’u harruar në Champions League për Gigio Donnarumma. PSG-ja e tij humbi në shtëpi kundër Liverpool në ndeshjen e parë të 1/8-ve të finales, duke marrë një tjetër goditje që i risolli në mendje makthin e përplasjes me Singo dhe duke humbur qartësisht duelin në distancë me një tjetër ish-lojtar të Serie A, Alisson Becker. Në fund, ai u gjend sërish në qendër të kritikave.
Portieri italian u cilësua nga shtypi francez si një nga përgjegjësit kryesorë të humbjes së padrejtë të PSG-së, e cila dominoi plotësisht ndeshjen (27 goditje kundër 2), por doli nga sfida në “Parc des Princes” me një humbje 0-1, që i komplikon ndjeshëm punët për ndeshjen e kthimit në “Anfield”.
Vendosën portierët: Alisson shkëlqeu, Donnarumma zhgënjeu
Ndeshja u vendos praktikisht nga dy portierët: nga njëra anë, ish-portieri i Romës, Alisson, i cili bëri 10 pritje, gjysma e të cilave spektakolare; nga ana tjetër, ish-portieri i Milanit, Donnarumma, i cili në të vetmen goditje drejt portës së tij—ajo e Harvey Elliott, i sapofutur në lojë, disa minuta para fundit—nuk arriti të shpëtonte PSG-në. Ai vetëm devijoi topin e gjuajtur nga 21-vjeçari anglez, por pa mundur ta ndalonte që të përfundonte në rrjetë, duke i dhuruar kështu avantazhin e papritur Liverpool.
Edhe pse mbrojtja e PSG-së nuk ishte pa përgjegjësi në aksionin që solli golin e Elliott, kritikat më të ashpra nga shtypi francez ranë mbi Gigio Donnarumma. Pas një periudhe me ulje-ngritje, Luis Enrique i kishte besuar sërish rregullisht portën 26-vjeçarit nga Castellammare di Stabia, por pas kësaj performance, ai u vu sërish në shënjestër të komentatorëve dhe ish-futbollistëve.
GOOOAAAL ⚽ 🔴 🎉
HARVEY ELLIOT
PSG 🔵 0-1 🔴 LIVERPOOL#PSGLIV #LIVPSG#UEFACHAMPIONSLEAGUEpic.twitter.com/aIQvngwVFF
— 🏆 THE VOICE 🏆 🏆 #LIVERPOOL🏆 🏆 🏆 (@LatamLiverpool) March 5, 2025
Kritika të ashpra nga shtypi francez dhe ish-lojtarë
Në emisionin After Foot në RMC, kritikët nuk kursyen Donnarumma-n. Analisti kryesor i programit, Daniel Riolo, e vuri në shënjestër portierin italian: “Ai që nuk është i besueshëm është Donnarumma: merr vetëm një goditje dhe dora e tij është si një copë gjalpi. Sonte, Alisson kishte duart e një muratori, ndërsa Donnarumma ato të një kopshtari. Nga njëra anë, pamë një portier të madh dhe një mbrojtje të organizuar mirë, nga ana tjetër, një mbrojtje që u lodh dhe një Donnarumma që nuk reagoi siç duhet.”
Përveç kritikave të Riolo-s, edhe ish-mesfushori francez, kampion bote në 1998, Emmanuel Petit, shtoi sulmet ndaj Donnarumma-s, duke e krahasuar me Alisson: “Alisson të jep siguri, ndërsa Donnarumma jo. Edhe në ato pak raste kur u detyrua të dalë në ajër para golit të Elliott, nuk dukej aspak i sigurt.”
Sipas ish-yllit të Arsenal-it dhe Barcelonës, problemi i Donnarumma-s është fiziku i tij: “Ka një problem, ndoshta për shkak të trupit të tij. Është shumë i rëndë dhe nuk është mjaftueshëm i shkathët”. Një tjetër natë e errët për italianin Donnarumma, i cili tashmë është në qendër të polemikave në Paris.