Elban Coniku, Dhimitër Peqini dhe Artan Lila janë tre persona që kanë rënë në pranga për trafik të armëve dhe falsifikim dokumentesh.
Policia njofton se grupi është zbuluar gjatë një kontrolli në automjet ku u gjetën të fshehura në bagazhe, 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak dhe 1 granatë, që nga hetimet rezulton se do të trafikoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.
Njoftimi:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Organizatori”.
Sekuestrohen 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak, granatë defensive dhe 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase).
Vihen në pranga 3 shtetas (organizatori i 2 veprimtarive kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe falsifikimit të dokumenteve, si dhe dy bashkëpunëtorët e tij).
Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. C., 52 vjeç, banues në Gramsh, dhe A. L., 47 vjeç, banues në Elbasan.
Gjatë operacionit “Organizatori”, në fshatin, Çekin, Gramsh, shërbimet e Policisë iu bënë shenjë ndalimi automjeteve që drejtoheshin nga shtetasit Dh. P. dhe E. C. Nga kontrollet, u gjetën të fshehura në bagazhe, 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak dhe 1 granatë, që nga hetimet rezulton se do të trafikoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.
Më tej, gjatë hetimeve rezultoi se shtetasi Dh. P., në bashkëpunim me shtetasin A. L., falsifikonin në banesën e këtij të fundit, dokumente të ndryshme (pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi dhe dëshmi aftësish), shqiptare dhe të huaja.
Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.