Arkitektura dhe teknikat ndërtimore në fshatin Lin të Pogradecit do të jenë dhe pjesë e studimit nga IKTK. Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore po vijojnë ekspeditat në terren me fokus gjurmimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e vendit.
“Së fundmi, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë, ata kanë realizuar një vizitë në fshatin Lin të Pogradecit, një zonë me vlera të rëndësishme kulturore, ku vëmendje e veçantë i është kushtuar: Arkitekturës vernakulare, që pasqyron karakteristikat tradicionale të ndërtimit në këtë zonë; Teknikave tradicionale ndërtimore, të cilat vijojnë të ruhen dhe do të jenë objekt studimi për verifikimin e interesit kulturor nga IKTK”, thuhet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.
Lini është një fshat i vogël dhe i bukur në juglindje të Shqipërisë, në afërsi të liqenit të Pogradecit. Ky fshat është i njohur për bukuritë natyrore dhe për trashëgiminë kulturore të pasur. Ekspedita në Lin e specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore vjen në vijim të punës së tyre me trashëgiminë kulturore. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ushtron veprimtarinë në fushën e trashëgimisë kulturore materiale, me qëllim gjurmimin, hulumtimin, studimin, projektimin, konservimin, restaurimin, mbikëqyrjen, kolaudimin, promovimin, publikimin e trashëgimisë kulturore materiale.