Dinamo ka regjistruar një fitore madhështore në derbin ndaj Tiranës, duke e përmbysur dhe dominuar bardheblutë me rezultatin e thellë 1-4 në javën e 27-të të Superiores. Skuadra e Ilir Dajës konfirmoi forcën e saj dhe tani ngjitet në vendin e dytë të renditjes, duke lënë pas Vllazninë. Në anën tjetër, Tirana fundoset edhe më shumë në krizë dhe mbetet në vendin e parafundit, duke ndarë të njëjtën kuotë pikësh me Skënderbeun e vendit të fundit.
Tirana kalon e para në avantazh, por më pas shembet totalisht
Sfida nisi me një rast të diskutueshëm në minutën e 10-të, kur VAR sinjalizoi një prekje me dorë të Alijit brenda zonës. Gjyqtari Jorgji rishikoi pamjet dhe akordoi penallti për Tiranën. Nga pika e bardhë, Jarmouni nuk gaboi dhe kaloi bardheblutë në avantazh në minutën e 11’.
Gëzimi i Tiranës zgjati vetëm tre minuta, pasi Dinamo gjeti menjëherë golin e barazimit. Një aksion i shpejtë nga Zabërgja solli një pasim në zonë, i cili u devijua në portën e Selmanit nga Meta, duke regjistruar një autogol të pafat për bardheblutë (14’).
Dominim total i Dinamos në pjesën e dytë
Pjesa e parë u mbyll me barazim, por në të dytën Dinamo shpërtheu me një demonstrim force që zhbëri plotësisht Tiranën. Në minutën e 62’, një top në thellësi gjeti Bregun, i cili me një goditje precize e dërgoi topin në rrjetë për 1-2. Vetëm shtatë minuta më pas, Dinamo shënoi sërish me brazilianin Lorran, që përfitoi nga një aksion i Bregut dhe e ndëshkoi sërish Selmanin (69’).
Lexo më tej: Skënderbeu trondit Mezanin në Ballsh: tris bardhekuq, Gjoka asgjeson Bylis
Dinamovitët nuk u ndalën me kaq dhe në minutën e 72’, Zabërgja dha një asist perfekt nga e djathta për Itodo Mandelën, i cili me një goditje të saktë me kokë vulosi rezultatin përfundimtar 1-4.
Pasojat e derbit: Dinamo fluturon lart, Tirana zhytet në krizë
Me këtë fitore spektakolare, Dinamo arrin në kuotën e 47 pikëve dhe merr vendin e dytë, duke lënë pas Vllazninë me një pikë më pak. Ky triumf e afron edhe më shumë ekipin e Ilir Dajës me objektivin e Europës.
Në krahun tjetër, Tirana është në një situatë dramatike, pasi mbetet në vendin e parafundit me vetëm 26 pikë, po aq sa Skënderbeu i fundit. Kjo disfatë e rëndon edhe më shumë presionin mbi skuadrën bardheblu, që tashmë duhet të luftojë për mbijetesë në një sezon katastrofik. Një derbi që nisi me premtime për Tiranën, por përfundoi me një makth të vërtetë për bardheblutë, ndërsa Dinamo feston një nga fitoret më të mëdha të sezonit.