Në kuadrin e primareve të Partisë Demokratike, një risi e rëndësishme ka qenë përfshirja e Dr. Erion Dashos në garën e Qarkut të Beratit. Mjeku dhe eksperti i njohur i shëndetësisë, i spikatur për angazhimin e tij publik dhe qëndrimet e forta opozitare, është rikthyer nga Gjermania për të dhënë kontributin e tij në zhvillimet politike në vendlindje.
Edhe pse i larguar prej vitesh për shkak të angazhimeve profesionale në Gjermani, Dr. Dasho nuk është shkëputur kurrë nga Shqipëria dhe veçanërisht nga Berati. Në garën e primareve të Partisë Demokratike, ai siguroi një rezultat dinjitoz, duke u renditur në vendin e tretë mes dhjetë kandidatëve, një tregues i qartë i mbështetjes që ka mes demokratëve dhe opozitarëve të Beratit. Nga informacionet e Bold News, Dr. Erion Dasho është deri tani e vetmja kandidaturë nga diaspora që kalon pragun e primareve të opozitës.
Në fushatën brenda demokratëve, Dasho ju rikthye shpesh temave të tij të njohura si shkatërrimi i sektorit shëndetësor dhe megaskandali i koncesioneve të shëndetësisë, për të kaluar tek korrupsioni qeveritar, bashkëqeverisja e rilindjes në aleancë me krimin dhe narkotrafikun, etj. Dasho u ndal në veçanti tek degradimi ekonomik, braktisja masive e Beratit nga të rinjtë dhe shkatërrimi i çdo mundësie për zhvillim.
Është pikërisht ky kontekst i errët, që e bën përfshirjen në politikë të figurave si Dr. Dasho shenjë shprese për një ndryshim të vërtetë. Me kandidatë të tillë, Partia Demokratike rikthen besimin e qytetarëve dhe synon të ndryshojë rezultatin elektoral në Berat drejt një fitoreje të opozitës në zgjedhjet e 11 majit.
Alternativa që ofron PD me personalitete me integritet, ekspertizë dhe vizion është e vetmja mundësi për të shpëtuar Beratin nga bataku i keqqeverisjes dhe për ta kthyer atë në një qytet dinjitoz, me ekonomi të fortë, dhe në një mundësi për të gjithë qytetarët beratas në Shqipëri dhe diasporë.