Skënderbeu i Ernest Gjokës ka dhënë një sinjal të fortë në garën për mbijetesë, duke triumfuar me një fitore spektakolare 0-3 në Ballsh kundër Bylisit. Korçarët zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer në stadiumin “Adush Muça”, duke e zgjidhur sfidën me golat e egjiptianit Nasr, i cili realizoi një dopietë vendimtare, dhe brazilianit Lukinha.
Me këtë trepikësh të artë, Skënderbeu arrin në kuotën e 26 pikëve dhe ngushton diferencën me vetë Bylisin në vetëm dy pikë, duke e bërë betejën për mbijetesë edhe më të ndezur. “Personalisht mendoi që skuadra dhe gjithçka – tha pas ndeshjes tekniku Gjoka -. I dinim pikat e forta të Bylis. I bllokuam pikat e forta të tyre. Bylisi është një ekip që në fushën e tij ka bërë mirë”.
Festë bardhekuqe në Adush Muça
Takimi nisi me një episod të diskutueshëm në minutën e 11-të, kur Bylisi kërkoi një penallti për një prekje të dyshimtë me dorë nga Bismark, por arbitri Hamiti nuk e konsideroi të tillë. Në minutën e 15-të, Skënderbeu pati një mundësi të artë me Nikajn, por shkodrani shpërdoroi një rast të pastër përballë portierit.
Megjithatë, në minutën e 23′, korçarët morën avantazhin. Një keqkuptim mes portierit dhe mbrojtjes ballshiote i dha mundësinë Nasrit të shtynte topin në rrjetë me portën e boshatisur, duke zhbllokuar sfidën. Skënderbeu vazhdoi të ushtrojë presion dhe në minutën e 32′, Nasr shënoi edhe golin e dytë pas një asisti nga Prençi. Fillimisht arbitri sinjalizoi për pozicion jashtë loje, por ndërhyrja e VAR-it konfirmoi rregullsinë e golit, duke i dhënë korçarëve një epërsi të qartë.
Lexo më tej: Elbasani fut në krizë Partizanin me dy penallti: Abilaliaj i vërsulet arbitrit Koçi
Në pjesën e dytë, Bylisi tentoi të reagojë me Da Silvën, i cili në minutën e 59′ provoi nga goditja e dënimit, por portieri Alia reagoi mrekullisht. Në minutën e 80′, Skënderbeu vulosi triumfin me një gol të mrekullueshëm të brazilianit Lukinha, i cili pas një asisti nga Janaqi realizoi një parabol të bukur për golin e tretë. “Janë ndeshje shumë delikate. Rëndesa e madhe e fundit të tabelës nuk po na nxirrte te loja jonë. Ardhjet e reja tani po japin atë që duhet. Estrela, Sabo, Nasr, rikthimi i Nikajt, por edhe Juri, e kanë ndryshuar skuadrën në shumë drejtime. Do ishte zhgënjim i madh nëse nuk do arrinim objektivin e Skënderbeut që është mbijetesa”, e mbylli Gjoka.
Çfarë Vjen Më Pas?
Ky ishte triumfi i dytë radhazi për Skënderbeun, që tashmë është futur plotësisht në garën për mbijetesë. Në sfidën e radhës, korçarët do të përballen në transfertë me Elbasanin, ndërsa Bylisi do të kërkojë të reagojë në shtëpi kundër Teutës. “Nëse humbim një ndeshje, ta bëjmë më dinjitet – tha i nervozuar tekniku i Bylis Gentian Mezani -. Sot marr përgjegjësitë e mia, pasi jam unë ai që vendos skuadrën në fushë. Por mendoj se nuk kemi dhënë atë që duhet, kemi qenë gjithmonë me vonesë. Në çdo veprim që bënim ishim në kohë-vonesë. Kishim vonesë në sulm, në kthimin pas në mbrojtje. Kjo ka influencuar sot ndeshjen”.
Me këtë fitore, ekipi i Gjokës jo vetëm që rikthen shpresat për shpëtim, por dërgon një mesazh të qartë: Skënderbeu nuk është dorëzuar ende!