Izraeli ka ndaluar hyrjen e të gjithë ndihmave humanitare në Gaza pas skadimit të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin, duke përmendur refuzimin e grupit militant për një zgjatje të armëpushimit të mbështetur nga SHBA.
Faza e parë e armëpushimit në Gaza, sipas së cilës janë liruar dhjetëra pengje izraelite dhe qindra të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë që nga mesi i janarit, arriti datën e skadimit të saj të shtunën.
Hamasi ka këmbëngulur për të avancuar në fazën e dytë, duke akuzuar Izraelin për “manipulim të vazhdueshëm” pasi zgjatja e ndihmave do të ishte e nevojshme për shkak të fillimit të muajit të shenjtë islamik të Ramazanit dhe festën hebraike të Pashkës. Po ashtu ky është edhe propozim i të dërguarit të presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
“Izraeli nuk do të lejojë një armëpushim pa lirimin e pengjeve tanë. Nëse Hamasi vazhdon refuzimin e tij, do të ketë pasoja shtesë”.
Udhëheqësi i Hamasit, Mahmoud Mardawi, tha në një deklaratë të dielën se “rruga e vetme drejt stabilitetit rajonal dhe kthimit të të burgosurve është zbatimi i plotë i marrëveshjes, duke filluar nga faza e dytë”. Hamasi dëshiron që faza e dytë të përfshijë negociatat për një armëpushim të përhershëm, një tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Gaza, rindërtimin e enklavës, “dhe më pas lirimin e të burgosurve si pjesë e një marrëveshjeje të rënë dakord”, tha Mardawi.