Investimet publike në vend u rritën me 90.2% në një dekadë, duke sjellë dhe shërbime më të mira për qytetarët dhe kthim pas të taksave të paguara.
Sipas një analize të bërë nga “ALTAX”, shpenzimet kapitale kanë pasur një rritje të konsiderueshme, duke arritur në 115,4 miliardë lekë në vitin 2024, nga 73 miliardë lekë në vitin 2014.
Referuar studimit, ky trend tregon një angazhim të shtetit për të investuar në projekte të rëndësishme infrastrukturore, si rrugët, urat dhe energjia.
Dokumenti vë në dukje se investimet kapitale janë thelbësore për rritjen ekonomike dhe zhvillimin afatgjatë të vendit, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe në tërheqjen e investitorëve të jashtëm.
Duke analizuar shpenzimet kapitale për periudhën 2014-2024, dilet në disa përfundime të rëndësishme lidhur me struktura e financimit dhe evoluimin e investimeve kapitale gjatë kësaj periudhe.
Një nga konkluzionet është se kjo rritje e vazhdueshme reflekton një përpjekje për të rritur investimet për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorëve strategjikë, si dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike dhe zhvillimin e territorit.
Investimet e financuara nga burimet brendshme kanë pësuar një rritje të dukshme gjatë periudhës 2014-2024. Kjo kategori është rritur nga rreth 33,9 miliardë lekë në 2014 në 88,903 miliardë lekë në 2024, një rritje prej 161%.
Sipas analizës, kjo rritje tregon se qeveria ka bërë përpjekje të mëdha për të mbështetur investimet kapitale me burime të brendshme, që mund të përfshijnë alokimin e fondeve nga taksat dhe të ardhurat fiskale. Ky trend është i lidhur me rritjen e të ardhurave fiskale dhe mundësinë për të financuar investime nga burimet e brendshme. Konsolidimin e buxhetit dhe përpjekjet për të zvogëluar varësinë nga burimet e huaja si dhe investimet në infrastrukturë dhe projekte të mëdha, që kërkojnë financim afatgjatë dhe janë të lidhura me zhvillimin e vendit.