I riu Ilirjan Mici u prangos brenda një banese në Durrës me qëllim ekstradimin drejt Spanjës.
“Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Ghots”, për kapjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar, Shërbimet Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ghost”.
Gjatë këtij operacioni, u kap në Durrës dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi I. M., 28 vjeç, banues në fshatin Likmetaj, Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Madritit, Spanjë, me vendimin e datës 28.12.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, sipas Kodit Penal të Spanjës. Për këto vepra, dënimi maksimal që parashikohet është 26 vjet burgim.