Gjykata e Beratit ka dhënë sot masat e arrestit për tre të ndaluarit, të dyshuar se hodhën në treg 21 ton mandarina të ndaluara për tregtim, të rikthyera nga Kroacia.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të hapura. Në përfundim, Gjykata e Beratit e konsideroi të vlefshëm arrestimin dhe vendosi masën e arrestit me burg për të tre të ndaluarit:
Gjyqtari i çështjes ishte Ilirjan Hysa, ndërsa prokurorja Malvina Pellumbi.
Gjatë seancës, avokatët mbrojtës i cilësuan të ndaluarit si viktima të konkurrencës tregtare, duke pretenduar se qëllimi ishte dëmtimi i tregtarëve vendas. Avokati mbrojtës i Arben Dylit madje hodhi dyshime mbi vërtetësinë e analizave të autoriteteve kroate.
Fermeri i arrestuar Elton Tafaj deklaroi se AKU i kishte komunikuar se mandarinat ishin të prishura dhe për këtë arsye ai i kishte hedhur në landfillin e Dimalit.
“M’u thye zemra kur i hodha, sepse ishte djersa ime,” tha Tafaj. Ai pretendoi se mandarinat e kthyer nuk ishin të tijat, por, pavarësisht dyshimeve, i pranoi dhe i asgjësoi.
Pavarësisht argumenteve të mbrojtjes dhe deklaratave të të arrestuarve, Gjykata vendosi masën e arrestit me burg për të tre të ndaluarit.