‘Luftë korrupsionit, por me standarde europiane’, Rama reagon ndaj lehtësimit të masave për stafin e UBT

4 Min Read

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën sociale X lidhur me vendimin e GJKKO për rrëzimin e 20 masave sigurie ndaj të hetuarve nga SPAK në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT). Rama e cilësoi vendimin si një lajm lehtësues, duke theksuar se jeta personale dhe familjare e individëve nuk duhet të preket padrejtësisht për shkak të hetimeve.

Kryeministri nënvizoi se drejtësia duhet të vijojë punën e saj pa asnjë kompromis ndaj korrupsionit, por gjithashtu duhet të respektojë normat demokratike dhe prezumimin e pafajësisë. Ai vlerësoi forcimin e aleancës së UBT me Universitetin BOKU të Vjenës dhe siguroi se ky partneritet nuk do të cenohet nga situata e krijuar.

“Duam ndëshkim pa mëshirë për çdo dorë që hyn në xhepat e popullit, por nuk mund të bëjmë kompromise në mbrojtje të standardeve demokratike të drejtësisë,” shkroi Rama.

Kryeministri garantoi mbështetjen e plotë të qeverisë për drejtësinë e re dhe theksoi se Shqipëria e vitit 2030 në BE duhet të ketë një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe në përputhje me vlerat europiane.

Reagimi i plotë i Ramës në X: 

Ja pse jam i lehtësuar me lajmin e rrëzimit në Gjykatën Speciale të 20 masave të sigurisë (nga 24) në Universitetin Bujqësor: 

  1. Drejtësia për shkeljet e pretenduara të tre viteve më parë, as nuk pengohet as nuk ndihmohet nga ato masa sigurie, ndërsa jeta personale e familjare e kujtdoqoftë që mund të jetë krejt i pafajshëm, kthehet në një ferr padrejtësie me pasoja traumatike. 
  2. Prokurorët dhe gjykatësit mund ta bëjnë tani pa asnjë ndryshim, deri në fund, detyrën e tyre dhe fajtorët e mundshëm nuk kanë asnjë shans të shpëtojnë, nëse kanë prekur fondet publike. Por ama jeta universitare nuk merret peng, reputacioni i universitetit nuk mbytet në llumin mediatik, stabiliteti psikologjik i komunitetit të pedagogëve, studentëve, prindërve nuk lëndohet, ndërkohë që drejtësia vazhdon qetësisht punën e vet. 
  3. Aleanca strategjike e UBT me Universitetin BOKU të Vienës, që u krijua me një përpjekje të madhe të qeverisë dhe programi ambicioz i transformimit rrënjësor, e i njehsimit të diplomave BOKU/UBT2030 nuk kërcënohet më  nga humbja e besimit të partnerëve austriakë përballë panoramës lemeritëse të 24 masave të sigurisë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë operacion në fshatin Corleone! 

Duam luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ndëshkim pa mëshirë për çdo dorë që hyn në xhepat e popullit, por po ashtu, nuk mund të bëjmë kompromise në mbrojtje të normave demokratike europiane të drejtësisë. 

Pas 100 e kusur vitesh e kemi tërhequr pushtetin politik nga fusha e drejtësisë dhe ia kemi lënë drejtësisë të na hetojë e gjykojë edhe ne, si të gjithë të tjerët, nëse shkelim ligjin. 

Prandaj, shpatën ta mbajnë lart, e kanë gjithë mbështetjen tonë. Peshorja është e tyrja, nuk ndërhyjmë në brendinë e çështjeve. Por sa herë do t’ua shohim sytë të pambuluar e deri edhe me gjak, nuk do të ngurrojmë ta themi publikisht. 

Drejtësia e re e Shqipërisë 2030 në BE duhet të jetë si kjo statujë e Zonjës së Drejtësisë. Për të gjithë. Gjithnjë.

 

Share This Article
Leave a Comment