Egnatia dhe Bylis u ndanë në një barazim spektakolar 2-2 në sfidën e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, një takim i luftuar deri në minutën e fundit. Megjithatë, falë fitores 3-1 në ndeshjen e parë në Ballsh, ekipi i drejtuar nga Edlir Tetova kalon në gjysmëfinale, duke iu bashkuar Partizanit dhe Vllaznisë në fazën tjetër të turneut.
Përballje e fortë dhe emocione deri në fund
Takimi në Rrogozhinë nisi me një ritëm të lartë, ku të dyja skuadrat kërkonin avantazhin. Ishin miqtë nga Ballshi ata që kaluan të parët në epërsi në minutën e 24′, kur Gjata realizoi saktësisht një penallti të akorduar pas rishikimit në VAR. Egnatia reagoi dhe arriti të barazonte rezultatin para fundit të pjesës së parë, me një gol të Xhemajlit në minutën e 41′, por asgjë nuk kishte përfunduar.
Kartoni i kuq dhe reagimi i Bylis
Në fraksionin e dytë, situata u ndërlikua për skuadrën e trajnerit Gentian Mezani. Në minutën e 69′, Përndreca u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Bylis me dhjetë lojtarë për pjesën e mbetur të lojës. Kjo situatë u shfrytëzua nga vendasit, të cilët kaluan në avantazh me Bakayoko në minutën e 72′.
Megjithatë, pavarësisht inferioritetit numerik, Bylis nuk u dorëzua dhe gjeti forcën për të reaguar. Vetëm gjashtë minuta më vonë, në të 78′, Marouf realizoi golin e barazimit, duke e çuar ndeshjen në 2-2 dhe duke shtuar emocionet në minutat e fundit.
Lexo më tej: Video/ Partizani eliminon me 10 lojtarë Laçin: Keko i jep debutimin fitues Abilaliajt
Egnatia mes 4 më të mirëve në Kupë
Pavarësisht përpjekjeve të Bylis për një përmbysje të mundshme, Egnatia menaxhoi rezultatin deri në fishkëllimën e fundit dhe siguroi kualifikimin për në gjysmëfinale, falë avantazhit të krijuar në ndeshjen e parë (3-1). Me këtë sukses, trofembajtësit e Kupës konfirmojnë formën e mirë dhe mbeten një nga pretendentet kryesore për trofeun e Kupës së Shqipërisë.