Në fund, protagonistët e skandaleve të ndryshme të lidhura me baste në Itali, që nga viti 1980 e deri te rastet e fundit të lojërave të fatit nga futbollistët, ia kanë hedhur mirë. Në Kamerun nuk janë aq të butë në raste të tilla. Sipas disa burimeve të cituara nga shtypi vendas, presidenti i Victoria United, një klub i divizionit të parë, thuhet se ka rrëmbyer, mbajtur peng dhe torturuar për tre ditë portierin e tij, Djomeni Éric Parfait.
Presidenti Valentin Kwain e kishte akuzuar portierin e tij për shitje të disa ndeshjeve, veçanërisht duke vënë baste në faqen 1Xbet. Për këtë arsye, pasi e kishte çuar lojtarin para autoriteteve, të cilat nuk gjetën asgjë kundër tij, Kwain dyshohet se e ka bërë të rrëmbehet nga njerëzit e tij në qytetin Limbe dhe aktualisht e mban të fshehur në një vend të panjohur.
Denoncimi i rastit – sipas faqes “Actu Cameroun” – është bërë nga nëna e futbollistit, e cila kur kishte shkuar në zyrat e klubit për të kërkuar djalin e saj, ishte dëbuar në mënyrë të keqe nga presidenti.
Lexo më tej: Eto’o nën hetim në Kamerun: akuzohet për trukim ndeshjesh, kërcënime fizike e nxitje dhune
Në mbështetje të lojtarit ka dalë edhe Unioni Kombëtar i Futbollistëve në Kamerun (Synafoc). “Drejtësi për Eric Parfait Djomeni! Portieri i ri i Victoria United është rrëmbyer, mbajtur peng dhe torturuar nga presidenti famëkeq i klubit të tij, Valentin Kwain. Eric Parfait Djomeni, ke gjithë mbështetjen time”, ka shkruar Jacques Marcel Itiga Itiga, përgjegjës për komunikimin në sindikatën kamerunase.