Misteri rreth tragjedisë në Shkodër/ Dyshohet se fëmijët kanë thithur ilaç kundër minjëve |

2 Min Read

Janë zbardhur detaje të reja nga tragjedia e regjistruar në familjen Hasmegaj nga fshati Mjedë i Vaut të Dejës, ku një fëlmijë 3-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa e motra e tij, 7 vjeçe ndodhet në gjendje kritike në Pediatrinë e QSUT-së.

Burime për mediat nga QSUT bëjnë me dije se mjekët dyshojnë për një intoksikacion të rëndë nga ilaçi kundër minjve.

Mësohet se prindërit kishin kryer spërkatjen e një magazine me këtë substancë toksike, ndërsa kishin me vete edhe fëmijët. Mendohet se ata mund të kenë thithur ose kanë pasur kontakt me helmin, duke shkaktuar simptoma të rënda që çuan në tragjedinë fatale.

Ndërkohë, nga spitali i Shkodrës bëjnë me dije se fëmijët e mitur janë paraqitur në spitalin rajonal të Shkodrës ditën e shtunë rreth orës 10:00 të paradites dhe pasi iu është bërë serum, janë larguar për në banesën e tyre bashkë me prindërit.

Sipas Spitalit të Shkodrës, mjekët kanë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore, duke i kërkuar familjarëve që fëmija të qëndronte në observacion për mbikëqyrje të mëtejshme. Megjithatë, sipas tyre prindërit kanë firmosur dhe kanë zgjedhur ta marrin në shtëpi.

Një ditë më pas, gjendja shëndetësore e fëmijëve është përkeqësuar dhe dy fëmijët janë dërguar sërish në spitalin e Shkodrës nga prindërtit e tyre në gjendje të rënduar.

Sipas spitalit, 3-vjeçari ka qenë me insuficiencë kardiake (puls të ulët, shenja jetësore shumë të ulëta) dhe është dërguar menjëherë në reanimacion, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë 10 minuta pas mbërritjes në spital.

Ndërkohë, motrës së tij, që po përjetonte simptoma të ngjashme, mjekët i kanë ofruar ndihmë të menjëhershme dhe e kanë transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Gjendja e saj mbetet kritike, ndërsa mjekët po bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar.

Share This Article
Leave a Comment