Rreth dy vite më parë, Mesut Ozil njoftoi zyrtarisht tërheqjen nga futbolli dhe që atëherë ka nisur të ndërtojë një karrierë të re larg vëmendjes së mediave dhe botës së sportit. Në moshën 34-vjeçare, gjermani vendosi t’i japë fund karrierës pas aventurës së tij të fundit me Istanbul Basaksehir dhe qëndroi në Turqi së bashku me familjen e tij për t’u marrë me angazhimet e tij të reja. Por të dielën, karriera e tij mori një kthesë, pasi u zgjodh anëtar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në Ankara, partisë që drejtohet nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
Kongresi i mbajtur dje e rizgjodhi për herë të nëntë politikanin turk në krye të partisë. Ish-futbollisti nuk e ka fshehur kurrë simpatinë e tij për Erdogan, madje e zgjodhi atë si dëshmitar në dasmën e tij me Amine Gülse në vitin 2019, e cila u shpall Miss Turqia në vitin 2014. Kjo afërsi shkaktoi polemika gjatë Kupës së Botës 2018, duke çuar në largimin e tij nga kombëtarja gjermane.
Ozil i zgjedhur në partinë e Erdogan
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Ozil nisi jetën e tij të re në politikë. Në muajt e fundit, ai ka habitur tifozët e tij duke treguar transformimin fizik të jashtëzakonshëm pas tërheqjes nga futbolli. Megjithatë, ai nuk zgjodhi të vazhdojë në botën e sportit si trajner apo analist televiziv, një rrugë që kanë ndjekur shumë nga ish-shokët e tij të skuadrës. Ish-lojtari ka lindur në Gelsenkirchen, por familja e tij ka origjinë turke, një lidhje që ai e ka ndjerë gjithmonë fort dhe që tani e ka çuar të jetojë në Turqi, ku tashmë do të punojë si politikan.
Lexo më tej: Erdogan i gjen skuadër për 29 minuta: miqësia me presidentin i vlen shumë Ozil
Gjatë një kongresi të mbajtur dje në Ankara, ai u zgjodh anëtar i këshillit qendror të AKP-së, partisë së themeluar nga Erdogan në vitin 2001. Zgjedhja e tij nuk është e rastësishme, pasi Ozil ka qenë gjithmonë një mbështetës i madh i presidentit turk dhe është fotografuar disa herë në shoqërinë e tij në raste të ndryshme. Madje, ai ishte dëshmitar në dasmën e Ozilit në vitin 2019, duke vulosur një lidhje të fortë mes tyre, e cila i kushtoi kritika dhe largimin nga kombëtarja gjermane shumë kohë para tërheqjes nga futbolli, për shkak të kundërshtimit të tifozëve ndaj mbështetjes së tij për Erdogan.