Ervin Karamuço, pedagog dhe ekspert sigurie, deklaroi një ditë më parë në studion e “Euronews Albania” se Prokuroria e Posaçme ka vënë në përgjim anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nën dyshimet për abuzim me detyrën.
Karamuço nuk dha më shumë detaje se për çfarë dhe ndaj kujt ka nisur ky hetim apo përgjimi i supozuar.
Beçi, referuar përvojës së tij, deklaroi se “nëse ka nisur një procedim penal pa një fakt konkret, pa një vepër penale apo shkelje konkrete, e gjithë situata mund të shndërrohet në një intimidim dhe presion apo cënim të hapur të pavarësisë së gjyqtarëve kushtetues”.
Gjatë bisedës në studio nuk u përmend rast konkret, por, gjithësesi, u mor si shembull që një situatë problematike mund të ketë ndodhur gjatë shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese të ligjshmërisë së komunikimeve ndërmjet platformave të inkriptuara, “SKY/ECC”.
Në mesin e vitit 2024, Gjykata Kushtetuese mori një kërkesë nga palë të interesuara për të shpallur të paligjshme mesazhet në SKY.
Gjithashtu, nëse ka pasur “përgjim” të gjyqtarëve kushtetues, nuk është e qartë nëse ka qenë interceptim procedurial, pra i urdhëruar nga prokurori, apo parandalues, që kryhet nga Policia ose shërbimet inteligjente.
Megjithatë, në 30 dhjetor të vitit 2024, Gjykata Kushtetuese rrëzoi në unanimitet kërkesën për shpalljen e paligjshme të komunikimeve “SKY”.
Ky vendim krijon premisat që, në rast se deklaratat e Karamuços lidhen për këtë rast, “ndërhyrja” ose nuk e ka arritur qëllimin ose mund të mos ketë pasur aspak “ndërhyrje”.
Hetimi, përfshirë edhe vendosja nën përgjim e tyre, nuk ka nevojë për autorizim të posaçëm, por kryhet nga Prokuroria e Posaçme kur kanë indicje dhe prova për përfshirjen e tyre në vepra penale.
Kushtetuta, në nenin 126 të saj, parashikon se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij, përveç rasteve kur ai ka vepruar për një interes vetjak ose me keqbesim”.