FIER – Detaje të reja kanë dalë në dritë nga kërcënimi me jetë që ju bë gjyqtarit të Fierit, Vladimir Cjapi nga Arben Isufaj i njohur ndryshe me nokën “Ben Qimja”.
Sipas gazetarit Elton Qyno, Cjapi, njihet shumë mirë me anëtarët e familjes Isufaj dhe vetë Arben Isufaj, pasi ai para se të bëhej gjyqtar ka shërbyer si avokat në qytetin e Fierit. Në kaudër të punës si avokat ai ka mbrojtur në procese të ndryshme penale dhe civile, anëtarët e familjes Isufaj.
Për shkak të kësaj njohje, Arben Isufaj i ka kërkuar ndihmë në mënyrë që ish-avokati i familjes së tij që sot është bërë gjyqtar në Fier, ta ndihmonte për punën e gjyqit në Fier. Kërkesave të Arben Isufaj, gjyqtari i Fierit i është përgjigjur negativisht, duke çuar në fillimin e përplasjes me fjalë me njerëzit e Arben Isufaj.
Ky i fundit më pas ka kërcënuar me jetë gjyqtarin duke i thënë “…Mbaje mënd se çfarë do të bëjmë…”. Sakaq një ditë më parë në banesën e Ben Qimes në Fier policia kreu disa kontrolle ku u gjetën dhe u sekuestruan armë, targa makine dhe jelekë multifunksional. Ndërkohë për gjyqtarin Cjapi, Këshilli për Mbrojtjen e Magjistratëve vendosi t’i ofrojë gjyqtarit mbrojtje të posaçme për një periudhë 6-mujore.
Ben Qimja është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. I njohur si një eksponent i rëndësishëm i botës së krimit, ai është dënuar disa herë për armbëmbajtje pa leje, përfshirje në vrasje dhe trafik droge. Gjithashtu Ben Qimja është vënë edhe nën hetim pasuror nga Prokuroria e Posaçme në vitin 2021 ku i janë sekuestruar asokohe 13 pasuri në pronësi të tij. Përveç Qimes, në dyert e drejtësisë janë paraqitur edhe familjarë të tij pasi akuzohen si të implikuar në ngjarje të ndryshme kriminale.