Kutitë e votimit vijojnë të numërohen në Kosovë, teksa sipas KQZ deri më tani janë numëruar rreth 78% të qendrave të votimit për votat e kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Por procesi i numërimit ka nxjerrë edhe surpriza. Një ndër to është këngëtarja e njohur Edona Llalloshi, me të cilën u befasuan të gjithë kur Albin Kurti e bëri pjesë të listës së kandidatëve.
Ajo mbante numrin 19 në listë dhe sipas mediave në Kosovë deri më tani ka siguruar një numër të konsiderueshëm votash, në krahasim me emra të tjerë të njohur në radhët e Vetëvendosjes.
Edona Llalloshi pritet të ketë rreth 30 mijë vota, një rezultat ky befasues për një kandidate që vjen nga fusha e artit. Me votat e numëruara deri më tani, këngëtaren rezulton se e kanë votuar 26765 qytetarë të Kosovës.
Mbetet të shihet nëse këngëtarja do të arrijë të sigurojë një ulëse në Kuvend, por ky rezultat i deritanishëm dëshmon për një përkrahje të madhe që ajo ka fituar në këtë garë politike.
Sa i përket kandidatëve të tjerë të Vetëvendosjes, Albin Kurti është më i votuari me 222 mijë vota. Pas tij vjen Glauk Konjufca me 170 mijë vota. Faton Peci ka marrë vota si i treti me 84 mijë vota.