Shumica e pasagjerëve të plagosur nga përplasja gjatë uljes së një avioni të linjës ‘Delta Air Lines’ kanë dolë nga spitali, tha të martën drejtorja ekzekutive e aeroportit të Torontos.
Vetëm 2 nga 80 pasagjerët që po udhëtonin nga Mineapolis për në Toronto po vazhdojnë të merrin trajtim mjekësor, pasi i mbijetuan mrekullisht përplasjes gjatë momentit të uljes së avionit, pasditen e së hënës. Pjesa më e madhe pësuan vetëm lëndime të lehta.
Avioni u ndal në pistë përmbys, e ndërsa u ul në pistë me mori flakë.
Deborah Flint, drejtorja ekzekutive e Autoritetit të Aeroporteve të Torontos, tha se 19 nga 21 të lënduarit kanë dalë nga spitali, por nuk dha detaje të mëtejshme për dy personat e mbetur.
Autoritetet thanë se vazhdojnë hetimet për arsyet e këtij incidenti. Komunikimi mes kullës dhe pilotit u duk se ishte normal dhe nuk është e qartë se çfarë nuk shkoi mirë në momentin që kur avioni po bënte uljen.
Peter Carlson, një ndër pasagjerët që po udhëtonte drejt Torontos për të marrë pjesë në një konferencë mjekësore, tha se ulja ishte “shumë e ashpër”.
“Papritur gjithçka u zhvendos dhe u gjenda kokëposhtë i mbajtur nga rripi i sigurimit”, tha ai kanalit televiziv CBS News.
“Ndjehemi shumë mirënjohës që nuk pati humbje të jetës dhe vetëm lëndime relativisht të vogla”, u tha gazetarëve zonja Flint.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë Delta, Ed Bastian shprehu në një deklaratë solidaritetin e të gjithë kompanisë me personat e prekur.
Përplasja është incidenti i katërt madhor në Amerikën e Veriut gjatë javëve të fundit. Një avion komercial dhe një helikopter i ushtrisë u përplasën pranë aeroportit kombëtar Reagan në Uashington, D.C., më 29 janar, duke vrarë 67 persona. Një avion transporti mjekësor u përplas në Filadelfia më 31 janar, duke vrarë gjashtë personat në bord dhe një tjetër person në tokë. Gjithashtu, më 6 shkurt, dhjetë persona u vranë nga përplasja e një avioni në Alaskë.
Përplasja e fundit madhore në aeroportin ‘Pearson’ ndodhi në 2 gusht 2005, kur një avion ‘Airbus A340’ që vinte nga Parisi rrëshqiti në pistë dhe mori flakë gjatë një stuhie. Të gjithë 309 pasagjerët dhe ekuipazhi i fluturimit 358 i kompanisë ‘Air France’ i mbijetuan përplasjes./voa