AAPSK publikon katalogun e parë të pasurive të sekuestruara, ja se ku mund t’i gjeni

1 Min Read

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar për herë të parë një katalog të detajuar me pasuritë e konfiskuara, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt transparencës dhe llogaridhënies publike.

Ky katalog përmban një listë të pasurive të konfiskuara me vendim gjykate të formës së prerë, duke ofruar informacion të plotë mbi llojin, vendndodhjen dhe statusin aktual të tyre. Publikimi është bërë në përputhje me Ligjin Nr. 34/2019, i cili rregullon administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, ka udhëhequr këtë nismë që nga emërimi i saj në tetor 2024, duke ngritur një grup pune të dedikuar për realizimin e katalogut. Sipas saj, synimi kryesor është rritja e transparencës, forcimi i besimit të publikut dhe përmirësimi i llogaridhënies në administrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Aktualisht, AAPSK po punon edhe për hartimin e një katalogu të pasurive të sekuestruara dhe për kryerjen e një inventarizimi të plotë të databazës së saj, me qëllim rritjen e eficiencës dhe mirëadministrimit.

Katalogu i pasurive të konfiskuara është i disponueshëm për publikun në faqen zyrtare të Agjencisë dhe do të përditësohet në mënyrë periodike.

Share This Article
Leave a Comment