Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzën për dosjen e dytë Ilir Beqaj, që ka të bëjë me vjedhjen e fondeve evropiane të SASPAC.
Ndaj Ilir Beqajt rëndon akuza e korrupsionit, fshehje të pasurisë, shkelje e barazisë në tendera, falsifikimit dhe mashtrimit.
Ilir Beqaj u arrestua në datë 4 korrik të vitit 2024 me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve që po kryhen nga prokurorja Elida Kaçkini, për abuzimet me fondet e SASPAC.
Të pandehur janë marrë edhe Elton Marini, drejtori Administrativ i “Landways International” Alfred Nikollaj, pronari i “Landways International”, Gazmend Haxhia, Bledar Leka dhe konsulentja financiare Bjona Zijaj.
Nga hetimet ka rezultuar se pasi Ilir Beqaj u emërua në krye të Agjencisë që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, dyshohet se ai dhe vartësit e tij ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive.
SPAK dyshon se Ilir Beqaj pastronte paratë dhe përmes restorantin “Gzona”, tek Kalaja e Tiranës, ku ngrihen dyshime se ai ishte pronari “faktik” i restorantit, duke e drejtuar në mënyrë indirekte.
Kjo për faktin, se gruaja e Beqajt, Adriana Beqaj, ka qenë aksionere në masën 50 % të kompanisë që zotëron restorantin, aksione që më pas i ka shitur dhe dhuruar tek Arti Malaj, i cili më pas ja ka shitur Eduart Curraj, administratorit të kompanisë farmaceutike “Delta Pharma”, që u bastis nga SPAK, për shkak se ka dyshime se Beqaj e ka favorizuar edhe kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Nga përgjimi i komunikimeve të kryera nga Prokuroria ka rezultuar se Ermal Kurtulaj rezulton i përfshirë në punët e restorantit Gzona. Ai interesohet vazhdimisht për mbarëvajtjen e këtij restoranti, duke vepruar si epror ndaj administratorit të restorantit, Gazmend Prenga dhe në ditët e fundit të dhjetorit të vitit 2023, ka disa komunikime ndërmjet tyre në lidhje me rakordimet ndërmjet investimeve të kryera mbi këtë restorant përgjatë vitit dhe me faturat e lëshuara për atë.
Në dosjen e SPAK përmendej si i përfshirë në këtë skemë edhe një restorant i njohur në kryetqytet, “Me Nam” në pronësi të barabartë mes Fisnik Filit dhe aktorit Ermal Mamaqi. Sipas dokumenteve, në tre raste, Fisnik Fili pret fatura për organizimet e eventeve të restorantit “GZONA” me vlerë mbi 325 mijë lekë në total dhe nuk ka bërë blerje të treta me qëllim që paratë t’i kalojnë Ermal Kurtulajt.
SPAK ka sekuestruar edhe një apartament në Vlorë, e cila dyshohet si pronë e fshehur e Ilir Beqajt.
Beqaj është marrë i pandehur edhe për aferën e sterilizimit,. ku akuzohet për vjedhje kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal