“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale kanë organizuar dhe finalizuar një tjetër operacion, gjatë 24 orëve të fundit.
Në kuadër të operacionit “Operacionalja 28”, u lokalizua në Tiranë dhe u arrestua provizorisht shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Ilir Zotaj alias Zio Bushi, 44 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Apelit e Peruxhias, Itali, e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet, 6 muaj e 17 ditë burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Ky shtetas dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale që përbëhej nga shtetas shqiptarë, e cila ka organizuar dhe financuar trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht nga Belgjika në Itali.