Nga Andi Bushati
Po të thellohesh edhe më tej në dosjen 360 fletëshe e kupton më mirë absurdin e realitetit paralel ku kanë jetuar ata që drejtojnë rilindjen. Njësoj si darkat te Nusreti, shishet e verës 33 mijë euroshe në zyrën e Ramës edhe shpenzimet e veshjeve të Ajolës, dëshmojnë për një jetë të shfrenuar luksi.
Në dosjen voluminoze zor se gjen prova për ndonjë tender të dhënë në mënyrë të jashtë ligjshme, zor se gjen ndonjë leje ndërtimi të firmosur në tejkalim të normave. Po, ka shumë dyshime, për lidhje me biznesmenë, që me siguri kanë qenë klientë dhe pagatorë të Erionit, por jo fakte.
Kur kemi mbërritur deri në këtë pikë të argumentimit duket sikur ka një kontradiktë të pakapërcyeshme, një paradoks që i tejkalon kufijtë e të logjikshmes. Si është e mundur, ka të drejtë të pyesë ai që po lexon, që nga njëra anë, në paragrafët e parë, pretendohet një vullnet i SPAK për ta shkatërruar Veliajn, që arrin deri në publikimin e çmimit të brekëve të bashkëshortes, ndërsa nga ana tjetër, flitet për një dosje pa prova të qëndrueshme, që në fakt është amnistim “de facto” i tij ?
Por, ajo që në mënyrë sipërfaqësore duket si një kontradiktë, në realitet e ka një spjegim.
Këtu nuk ka asnjë surprizë. Ndonëse arrestimi i Veliajt është më bombastiku dhe më zhurmëmadhi i ndodhur ndonjëherë, i pari i një zyrtari të lartë në detyrë, ai ngjan si dy pika uji me ato të Kokës, Bllakos, Ahmetajt etj. Asnjëri prej tyre nuk është hetuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por Teri për lekët që ka çuar në kompanitë e të birit, Alqi për pagat e pajustifikueshme të të atit, ndërsa Beni për pllakat e Ejolës. Linja udhëheqëse e SPAK është e qartë: në këtë vend ka hajdutë të rëndomtë, por jo një bandë të organizuar që vjedh shtetin për të mos lëshuar pushtetin.
Prandaj, Prokuroria e Posaçme nuk heton deri në fund inceneratorët, prandaj ajo ka tabu të prekë tre shtyllat që mbajnë në këmbë regjimin e Edi Ramës: financimin okult të mediave; paratë e zeza të krimit, të shndërruara në rokaqiej që shërbejnë si serum për ekonominë dhe mbi të gjitha, vjedhjen e zgjedhjeve.
Me këtë objektiv është nisur edhe projekti i shkatërrimit politik të Erion Veliajt. SPAK ka zgjedhur ta trajtojë atë si xhepist ordiner, me mendësinë e atij që do ti’a hajë mishin, por ti’a ruajë kockën regjimit. Për këtë arsye, mes dhjetra Nesti Angonëve imagjinarë, nuk u mor për bazë, as ai që mund të denonconte inceneratorin e Tiranës, as ai që mund të padiste vjedhjen e zgjedhjeve, as ai që mund të tregonte për milionat e blerjes së televizioneve, as ai që mund të dëshmonte për paratë që rekrutuan aktorët, duke fikur protestën e Teatrit Kombëtar. Qëllimi qe i qartë: që Veliaj të mos akuzohej si pjestar në një krim kolektiv, por thjeshtë si një burrë i pafuqishëm, që nuk frenonte dot vanitetin e Ajolës.
Pikërisht ky sforcim, kjo përpjekje qesharake për të kapur veshin e majtë me dorën e djathtë, ka prodhuar atë dosje të dobët, ku nuk gjendet gjurmë prove për krimet që Lali ka bërë në kryerjen e funksioneve të tij.
Por, veshtirë të thuhet se me provat që ka mbledhur ai e ka rritur besimin e publikut. Sforcimi për të përshkruar një personazh, thjesht peng të së shoqes, i ka nxjerrë prokurorët dhe vetë zbuluar, duke dëshmuar edhe njëherë se ata nuk shkojnë dot më larg sesa krimi ordiner./Lapsi.al