TIRANË- Kreu i PD-së, Sali Berisha ka komentuar foton e publikuar sot në media, ku kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci shihet në një restorant duke biseduar me prokurorin e SPAK, Arben Krajën. Berisha tha se qëndrimet e tij për prokurorin i ka shprehur dhe më parë, ndërsa shtoi se Kraja nuk duhet të ishte në Prokurorinë e Posaçme. Ai tha se në ditët në vijim do të merret dhe me këtë çështje.
“I kam shprehur të gjitha qëndrimet për të. Ai është një xhelat i sigurimit të shtetit, që nuk mund të ishte kurrë aty ku është. Kurrë. I shkarkuar nga ligji i qeverisë së PD në 1995-1996. Unë e pashë atë, por asaj do ti vijë radha. Gjërat janë me radhë, jo të gjitha përnjëherë. Ju e patë se çfarë hetimi bëhet aty. Hetimi tejkalon çdo punë. Atë e kam denoncuar në mënyrë të përsëritur. Me atë çështje do të merrem, por me radhë, nuk e kaloj radhën unë.”, tha Berisha.
Duhet theksuar se Beci ështën në hetim nga SPAK. Nga ky takim janë ngritur disa pyetje ndër të cilat çfarë mund ta lidhë kryetarin e bashkisë së Shkodrës dhe prokurorin e SPAK.
Becit më 4 nëntor Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar procedimi penal për veprën e korrupsionit, gjatë kohës që ka qenë në krye të Fondit Shqiptar i Zhvillimit të cilin e ka drejtuar që në kohën e qeverisë “Berisha” dhe në vazhdim në qeveritë “Rama”, deri sa u përfshi në politikë duke kandiduar dhe zgjedhur si kryebashkiak i socialistëve në qytetin e Shkodrës.