Presidenti Donald Trump përsëriti deklaratën për planin e tij që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Gazës dhe për zhvendosjen e përhershme të banorëve të saj, ndërkohë që u takua me Mbretin e Jordanisë Abdullah mes kundërshtimeve të gjëra ndaj planit të tij nga aleatët arabë të Uashingtonit, përfshirë Jordaninë.
Pak pasi mbreti dhe djali i tij hynë në Shtëpinë e Bardhë, gazetarët u drejtuan tek Zyra Ovale ku Presidenti Trump sinjalizoi se nuk do të tërhiqet nga plani i tij që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Gazës, për zhvendosjen e banorëve të saj të tronditur dhe për të transformuar territorin e shkatërruar nga lufta.
“Do ta marrim. Do ta mbajmë dhe do ta ruajmë. Do ta marrim eventualisht, do të krijojmë shumë vende pune për banorët e Lindjes së Mesme”, tha zoti Trump duke iu referuar Gazës. Ai shtoi se plani i tij do “të sjellë paqe” në rajon.
Presidenti Trump tha se ai do të konsiderojë nëse do t’ia bllokojë ndihmën Jordanisë nëse ky shtet refuzon të pranojë strehojë palestinezët.
Mbreti Abdullah në të kaluarën ka thënë se ai kundërshton çfarëdo hapi për aneksimin e territorit dhe zhvendosjen e palestinezëve.
“Çështja është se si ta bëjmë këtë të funksionojë në një mënyrë të dobishme për të gjithë”, tha ai, pa thënë konkretisht nëse e mbështet apo e kundërshton planin e zotit Trump.
Ai pritej t’i thoshte zotit Trump se një veprim i tillë do të nxiste radikalizimin, do të zgjerojë kaosin në rajon, do të rrezikojë paqen me Izraelin dhe do të kërcënojë mbijetesën e shtetit të tij.
Propozimi i Presidentit Trump ka sjellë një dimension të ri në një dinamikë të ndjeshme rajonale, përfshirë armëpushimin e brishtë ndërmjet Izraelit dhe grupit militant palestinez të Hamasit.
Hamasi tha të hënën se do të ndalojë lirimin e pengjeve izraelite nga Gaza deri në një njoftim të radhës, duke akuzuar Izraelin se po shkel marrëveshjen për t’u dhënë fund sulmeve në Gazë. Më pas, Presidenti Trump propozoi anulimin e armëpushimit nëse Hamasi nuk liron pengjet e mbetura, të cilat i mori peng më 7 tetor, të vitit 2023, deri në ditën e shtunë.
Presidenti Trump tha të martën se “situata do të jetë e paparashikueshme” nëse Hamasi nuk e respekton këtë afat kohor, duke shtuar se nuk mendon që grupi militant palestinez do ta bëjë një gjë të tillë.
Jordania mbështetet tek ndihmat amerikane
Jordania, shtet i kufizuar me Arabinë Saudite, Sirinë, Izraelin dhe Bregun e pushtuar Perëndimor me 11 milionë banorë, tashmë strehon mbi 2 milionë refugjatë palestinezë, statusi dhe numri i të cilëve është burim shqetësimi për drejtuesit e vendit.