Mbi 84 mijë persona nga diaspora u bënë pjesë e procesit të votimit për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit në Kosovë.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se 80,1 për qind e të regjistruarve votuan fizikisht në përfaqësitë diplomatike dhe përmes postës, por sipas tij kjo përqindje mund të ndryshojë pas procesit të vlerësimit të këtyre të fundit.
“Sipas të dhënave paraprake, 15 mijë e 352 persona votuan më 8 shkurt në përfaqësitë diplomatike dhe përmes postës kemi marrë 68.712 fletëvotime,” tha z. Elezi, duke shtuar se numërimi i tyre do të nisë pas disa ditësh në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, ku sot nis edhe numërimi i votave për kandidatët për deputetë.
“Materiali zgjedhor, përfshirë edhe formularët e rezultateve janë vendosur brenda kutive të votimit, ndaj të dhënat nuk mund të përditësohen pa u hapur ato kuti, me nisjen e numërimit të votave për kandidatët për deputetë,” tha z. Elezi.
Shefja e misionit, Natali Luazo, shprehu shqetësimin për gjuhën negative të përdorur nga partia në pushtet gjatë fushatës zgjedhore.