Prokuroria e Posaçme arrestoi sot Erion Veliajn. SPAK thotë se Veliaj u jepte leje dhe fondeve një grupi biznesmenësh në këmbim të pazareve. Njëri prej tyre i dhuroi Veliajt një vilë në Qerret. Gjithashtu SPAK thotë se janë shpenzuar për blerje vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë.
“Organi procedues ka mbledhur prova, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive, nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit, i) kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit (rrjedhimisht tek vetë shtetasi nën hetim E. V.) dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga kjo shtetase; ii) kanë kaluar përmes sponsorizimeve, likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve, të bëra prej subjekteve tregtare, të cilët nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia Tiranë, tek OJF-të, shpk-të dhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iii) kanë kaluar si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme, specifikisht një godinë banimi e tipit “Vilë” e ndodhur në Qerret Kompleksi “Marea Resort”, dhënë si përfitim i parregullt nga persona konkretë përmendur më lartë, të cilët zotërojnë dhe përfaqësojnë subjekte tregtarë, të lidhur ngushtë me interesa financiare me Bashkinë Tiranë, përmes përfitimit të fondeve publike si edhe lejeve të ndërtimit, tek familja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; iv) janë shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje, përmes personave të tjerë. Çdo transferim i këtyre fondeve publike dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit është kryer me miratimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, shtetasit E.V.” njofton SPAK.