“Ndonjëherë nuk është e mjaftueshmë që me 1-0 të fitosh. Jemi të mërzitur për 2 pikë që lamë dhe situatën ku jemi. Duhet të marrim anën pozitive, besoj shumë që do të dalim nga kjo situatë”. Bledi Shkëmbi nuk e fsheh zhgënjimin për fitoren e ikur nga duart në minutën e fundit të kohës së rregullt, në derbin me Partizanin. Tirana u ndal në një tjetër barazim, i 14 sezonal, ndërsa renditja mbetet dramatike pavarësisht një ndeshje të luajtur mirë.
“Jam i pakënaqur me skuadrën në disa momente, në disa situata, kur kishim topin në këmbë – tha Shkëmbi -. Një skuadër nuk e mbron rezultatin vetëm duke u mbrojtur apo duke vrapuar. Bëmë mirë me pjesën e të paturit raste. Goli ishte më shumë meritë e kundërshtarit se gabim i joni”. Tekniku i Tiranës pati kritika edhe ndaj arbitrimit, pikërisht për golin e Sembene që solli barazimin: “Pati një moment faull me Kolën, para kornes dhe ajo u shënua gol. Ndonjëherë edhe fati i keq, nuk kemi si ta ndryshojmë. Por për goditjen standarte më shumë ishte meritë e kundërshtarit se gabimi i jonë”.
Lexo më tej: Sembene barazon derbin në fund, plas sherri: 7 kartonë të kuq në Partizani-Tirana
Tekniku i rikthyer bardheblu, që ka marrë dy fitore e një barazim deri tani, pastaj thumboi edhe Ernest, autorin e golit të parë, por humbasin e dy rasteve flagrante: “Çunat bënë maksimumin, për shumicën e kohës ishim më të rrezikshëm se kundërshtari. Duhet të shënonim të dytin dhe të tretin për të qenë më të sigurt”, u shpreh Shkëmbi.
VESELINOVIC: “TIRANËN E MBAJTI GJALLË GOLI”
“Barazimi? Është gjithçka shumë e pritshme në këtë derbi. Tifozët kanë bërë një atmosferë të shkëlqyer. Nuk jam plotësisht i kënaqur me rezultatin 1-1. Duhet të respektojmë kundërshtarin dhe nëse s’do të kishte qenë Tirana nuk do të ishte derbi i tillë. Ka qenë çështje kohe deri te barazimi, me tifozët që e kanë ndjerë diçka të tillë”. Alexandar Veselinovic, tekniku i Partizanit i gëzohet barazimit të tretë në tre derbi të luajtura me Tiranën, për më tepër kur i shpëtoi humbjes vetëm në fund: “Në pjesën e parë ishim dominues dhe pavarësisht golit ne vazhduam të kërkojmë rezultatin. Pas barazimit që shënuan në fund, duhet të jem i kënaqur. Por në përgjithësi çfarë ndodhi në fushë nuk duhet të jem i kënaqur”, ka përfunduar tekniku serb.