TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në protestën e sotme ka komentuar intervistën e ish-zëvendësministrit Arben Ahmetaj. Berisha tha se Ahmetaj si dëshmitar okular u tha shqiptarëve se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij funksionojnë si organizatë kriminale.
Kryedemokrati u shpreh se ky është shkaku që opozita ndodhet sot në shesh, sipas tij për “t’u thënë shqiptarëve dhe mbarë botës se nuk pajtohen me këtë hajdut”. Berisha e cilësoi çështjen McGonigal edhe si dosjen që do i sjellë burgun dhe fundin kryeministrit Rama.
“Të dashur miq, ne përballemi përsëri me censurën. Censurën, vellon e zezë që Edi Rama në traditën e etërve të tij, ka vendosur në Shqipëri. Por ja ku jemi, asgjë në botë nuk na pengon dot ne të mbrojmë të vërtetat që besojmë. Tre rezoluta ndërkombëtare u censuruan totalisht nga mediat e qeverisë. U censurua krejtësisht intervista e Arben Ahmetajt, i cili në fakt i bëri autopsinë regjimit të krimit nga viti 2015 gjer sot.
Arben Ahmetaj, si dëshmitar me dokumenta, si dëshmitar fizik, okular, u tha shqiptarëve se Edi Rama dhe qeveria e tij funksionojnë si organizatë kriminale. Se Edi Rama detyroi Erion Veliajn të firmosë djegësin e Tiranës dhe së bashku me të kanë vjedhur 130 milionë euro. Se Edi Rama me Lubi Ballukun në një udhëtim në Ankara, para syve të tij, rritën çmimin e tunelit 50 milionë euro për t’i marrë në xhep. Se Edi Rama ka shndërruar AKSHI-n në kopshtin e vjedhjeve të tij ku me familjarët e vet ka marrë dhjetëra milionë dhe ka grisur dy urdhra arresti për baxhanakun dhe drejtoreshën e AKSHI-t. Arben Ahmetaj faktoi se Edi Rama i ka duart e tij të zeza në aferën e Porto Romanos dhe se është udhëheqësi i të gjitha bandave në Shqipëri. Lubi Balluku, Lubi Loti, administron për llogari të Edi Ramës 12 miliardë euro dhe dëmet e saj shkojnë më shumë se dëmet e tërmetit.
Pra, miq, të gjitha këto janë shkaku pse jemi ne sot këtu. Për t’u thënë shqiptarëve dhe mbarë botës se ne nuk pajtohemi kurrë me këtë hajdut që historia e Shqipërisë nuk ka njohur kurrë të tillë. Miqtë e mi, dosja McGonigal është arkivoli i hapur i Edi Ramës. Çdo natë, në dy muajt e fundit, ai në ëndërr i del ishulli Riker. Atje do përfundojë, tek McGonigali. Iu garantoj ju se pas zgjedhjeve do e paketoj, të bëjë dënimin më pas të kthehet.”, tha Berisha.