Çmimet e ushqimeve të importuara u ulen me 7% më 2024, por nuk u reflektuan, ja cilë janë 2 faktorët që ndikuan

3 Min Read

Një kilogram ushqim i importuar vitin e kaluar ka kushtuar 7% më lirë se në vitin 2023 sipas të dhënave zyrtare nga tregtia e jashtme (INSTAT).

Në vitin 2024 janë importuar nga jashtë rreth 1,3 milionë kilogram ushqim me një vlerë 156 miliardë lekë. Një kilogram nga grupi “ ushqim, pije duhan” kushtoi 120.8 lekë në vitin 2024 nga 129.8 lekë në vitin 2023 me një rënie rreth 7 për qind. Në raport me vitin 2022 çmimi i një kilogrami ushqim dhe pije ka rënë mesatarisht me 17%.

Në anën tjetër në vitin 2024 inflacioni i grupit ushqim, pije duhan shënoi rritje me 2.7 %. Importet janë përbërësi kryesor i inflacionit, pasi Shqipëria e ka të bazuar konsumin në import. Ushqimet e importuara ishte 2.7 herë më të larta se eksportet në vitin 2024.

Rënia e çmimeve të importit në grupet ushqimore vitin e kaluar është favorizuar nga dy faktorë themelorë.

I pari është kurs i këmbimit. Forcimi i lekut ndaj euros i ka bërë importet më të lira, duke rritur në këtë mënyrë fitimet e importuesve.

Së dyti çmimet e ushqimeve në tregjet ndërkombëtare kanë vijuar uljen e edhe vitin e kaluar pas krizës që pësuan me nisjen e luftës në Ukraine.

Nga 141 qytete europiane, Tirana u rendit në vendin e 92 për kostot e larta të jetesës sipas indeksit të publikuar në këtë fillimvit nga “Numbeo”, një databazë globale që mat kostot së jetesës kudo në botë. Indeksi i kostove të jetesës llogaritet si përqindje e kostos së Nju Jorkut.

Kostoja e lartë e jetesës në Tiranë ndikohet më së shumti nga çmimet e produkteve ushqimore. Sipas “Numbeo”, më 2025 indeksi i çmimeve të produkteve ushqimore shënoi 42.5%, çka do të thotë se një banor i Tiranës shpenzon në muaj sa 42.5% e një banori në Nju Jork.

Kosto e ushqimeve ka një peshë të lartë në koston e jetesës në Tiranë, pasi ndryshe nga vendet e e tjera të Europës, shqiptarët çojnë më shumë se 43% të të ardhurave mujore për blerjen e ushqimeve.

Teksa Shqipëria ka rrogat më të ulëta në Rajon mesatarisht (30% më të ulëta) me të dhëna zyrtare, nga ana tjetër ka çmime më të larta të produkteve ushqimore.

Në anën tjetër, Shqipëria ka më të lirë indeksin e qirasë. Shpenzimet e një banori në Tiranë janë sa 13.6% e një qytetari në Nju Jork./Monitor

Share This Article
Leave a Comment