Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka shkarkuar nga detyra ambasadoren e Serbisë në Zagreb, Jelena Miliç, sipas një vendimi të publikuar këtë të martë në Fletoren Zyrtare të Serbisë.
Në dokumentin zyrtar konfirmohet se Miliç është liruar nga detyra, ndërsa vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë. Në lidhje me shkarkimin nuk është dhënë end endonjë arsye specifike.
Gjithsesi, ky vendim vjen në një moment përshkallëzimi të tensioneve mes Serbisë dhe Kroacisë, pas marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes të nënshkruar më 18 mars në Tiranë midis Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.
Presidenti Vuçiç e kritikoi ashpër marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një garë të re armatimi në rajon.
“Ne e morëm mesazhin. Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur vendin tonë” – deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Kroacia u përgjigj duke theksuar se ka të drejtë të bashkëpunojë në sektorin e mbrojtjes me çdo vend që dëshiron.