Ndalohet bullizmi dhe publikimi i përmbajtjeve me AI, partitë firmosin Kodin e Etikës në fushatë |

11 Min Read

Përfaqësues të partive politike që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, kanë firmosur ditën e sotme në ambientet e KQZ-së Kodin Etik, teksa fushata ka nisur prej disa javësh, edhe pse jo zyrtarisht.

Përmes këtij Kodi Etik, partitë politike angazhohen që gjatë fushatës elektorale të ruajnë integritetin e zgjedhjeve dhe të mbështesin parimet themelore të zgjedhjeve demokratike, si integriteti, transparenca, privatësia, siguria, drejtësia dhe kushtet e barabarta të lojës.

Subjektet ndalohen që përmes llogarive të rreme ose bot-e automatike të manipulojn opinionet e zgjedhësve, si dhe u ndalohen dhe trolle, akuza të pabaza ose bullizëm kibernetik.

Gjithashtu, ndalohen edhe përmbajtje manipuluese, duke përfshirë audio, imazhe ose video të gjeneruara me ose pa përdorimin e inteligjencës artificiale, me qëllim paraqitjen e shtrembëruar ose të falsifikuar në mënyrë të rreme ose manipuluese të kandidatëve, zyrtarëve ose çdo pale tjetër të përfshirë në zgjedhje.

Nënshkruesve të këtij kodi u është kërkuar të heqin pa vonesë të çdo përmbajtjeje të publikuar në emër të një pale, nëse ajo përmbajtje është në shkelje të angazhimeve të këtij Kodi Etike.

Shkresa e plotë e nënshkruar:

Kuadri ligjor

Ky Kod Etike nënshkruhet mbi baza vullnetare dhe nuk ka për qëllim të zëvendësojë ligje ekzistuese apo ligje që mund të miratohen ne të ardhmen dhe as të ndërhyjë në respektimin e këtyre ligjeve nga nënshkruesit apo palët e tjera të interesit.

Megjithatë, ai është pjesë e një kuadri më të gjerë politikash në nivele të ndryshme qeverisjeje dhe ka për qëllim të jetë plotësues në raport me to. Ky Kod duhet të lexohet në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore përkatëse në vend, si dhe me normat, konventat dhe ligjet ndërkombëtare ku aderon Shqipëria, sidomos me legjislacionin që vjen nga Bashkimi Evropian, me të cilin Shqipëria duhet  të përafrohet.

Kodi mbështetet në dokumente të ndryshme ligjore dhe politike.

Ndër më të rëndësishmet janë:

  • Neni 4, 9, 16/1, 18 dhe 45 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, parimi i shtetit të së drejtës, e drejta për të votuar, barazia përpara ligjit, transparenca financiare, ndalimi i gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës diskriminuese, dhe integriteti i funksionarëve publikë.
  • Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë (Ligji nr. 10019, i vitit 2008, i ndryshuar)
  • Ligji për partitë politike (Ligji nr. 8580, i vitit 2000, i ndryshuar)
  • Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale (Ligji nr. 9887, i vitit 2008, i ndryshuar)
  • Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi (Ligji nr. 10 221, i vitit 2010)
  • Ligji për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë (Ligji nr. 97/2013)
  • Ligji për sigurinë kibernetike (Ligji nr. 25/2024)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i ngarkuar me mbikëqyrjen e zgjedhjeve, ka rol vendimtar në monitorimin e reklamave politike, duke përfshirë edhe reklamat online, në kuadrin e garantimit të integritetit të zgjedhjeve.

Zotimet e palëve nënshkruese

Nënshkruesit e këtij Kodi Etike që përfaqësojnë subjektet zgjedhore që planifikojnë të regjistrohen në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 marrin përsipër  bashkërisht sa vijon:

  1. Të ruajnë integritetin e zgjedhjeve përmes respektimit të rregullave dhe normave në fuqi dhe përmes zbatimit të parimeve për fushata të ndershme dhe transparencë financiare.
  2. Të nxisin një diskurs politik gjithëpërfshirës, pjesëmarrje dhe kontribut në procese zgjedhore të sigurta, veçanërisht:
  3. duke mos prodhuar, duke mos përdorur ose duke mos shpërndarë deklarata dhe paragjykime diskriminuese ndaj grupeve të caktuara për shkak të gjinisë, origjinës racore ose etnike, fesë, besimit, aftësisë së kufizuar, moshës ose orientimit seksual;
  4. duke mos shpërndarë, duke mos postuar dhe duke mos promovuar mesazhe që nxisin dhunë ose urrejtje; nënshkruesit inkurajohen të dënojnë me forcë dhe të ndërmarrin sanksione ndaj çdo akti dhune ndaj kandidatëve ose përfaqësuesve të zgjedhur.
  5. duke mos shkurajuar zgjedhësit dhe duke mos shpërndarë informacione të pasakta në lidhje me procesin zgjedhor, siç janë të dhënat e zgjedhësve, procesi i votimit dhe qendrat e votimit.
  6. Të garantojnë një përdorim etik dhe transparent të mjeteve dhe teknologjive për fushatë, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale. Të mos prodhojnë, të mos shpërndajnë përmbajtje keqinformuese, veçanërisht:
  7. të dhëna ose materiale të rreme, të fabrikuara, të bëra publike pa leje dhe në mënyrë dashakeqe ose të vjedhura;
  8. përmbajtje manipuluese, duke përfshirë përmbajtje audio, imazhe ose video të gjeneruara me ose pa përdorimin e inteligjencës artificiale, me qëllim paraqitjen e shtrembëruar ose të falsifikuar në mënyrë të rreme ose manipuluese të kandidatëve, zyrtarëve ose çdo pale tjetër të përfshirë në zgjedhje. Përdorimi i përmbajtjes së gjeneruar nga inteligjenca artificiale të bëhet vetëm kur kjo përmbajtje etiketohet qartësisht si e tillë. Në këto raste këshillohet përdorimi i shenjave dalluese (ëatermarking) dhe i shenjave që tregojnë origjinën e materialit (provenance signals);
  9. llogari të rreme ose bot-e automatike për të manipuluar opinionet e zgjedhësve;
  10. trolle, akuza të pabaza ose bullizëm kibernetik;
  11. përmbajtje të krijuara dhe të shpërndara nga aktorë jashtë vendit që përpiqen të dëmtojnë parimet e demokracisë, lirisë, barazisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe të promovimit të paqes e stabilitetit.
  12. Të shfrytëzojnë të gjitha burimet e mundshme për të luftuar efektet negative të përmbajtjeve manipuluese të gjeneruara nga inteligjenca artificiale dhe të shohin mundësitë e trajnimit të stafit të tyre për këtë qëllim; të mos përdorin informacione personale ose konfidenciale në instrumentet e inteligjencës artificiale, si për shembull në pyetjet apo udhëzimet e dhëna (prompts), duke garantuar kështu privatësinë dhe sigurinë e individit gjatë zgjedhjeve; të shohin mundësinë e ngritjes së një mekanizmi të strukturuar që do t’u mundësonte qytetarëve të raportojnë për shqetësime ose për keqpërdorim të teknologjive të inteligjencës artificiale.
  13. Të garantojnë transparencën e kontributeve financiare të marra, duke përfshirë edhe përfitimet në natyrë si dhuratat, trajtimet, huatë, donacionet, kontributet për fushata dhe shpenzime, në përputhje me legjislacionin evropian dhe atë kombëtar në fuqi.
  14. Të garantojnë transparencën e reklamave politike dhe komunikimeve të fushatës:
  15. të mos përdorin reklama politike të sponsorizuara nga interesa të padeklaruara dhe të mos angazhojnë palë të treta ndërmjetëse për dhënie mesazhesh për fushatë ku nuk identifikohet burimi ose sponsorizuesi i mesazhit.
  16. të veprojnë në përputhje me politikat dhe mekanizmat e transparencës së platformave online dhe të japin informacione të sakta mbi proceset e regjistrimit dhe verifikimit.
  17. të ofrojnë informacion, mundësisht në faqet e internetit të partive politike në lidhje me:
  18. organizatat dhe fondacionet me të cilat janë të lidhura; ose ne lidhje me subjekte të tjera ligjore që zhvillojnë fushatë në emër të tyre;
  19. përdorimin e reklamave politike, duke përfshirë sponsorizuesit, burimet e financimit dhe shumat e shpenzuara për to;

iii. targetimin e reklamave dhe përdorimin e çfarëdolloj sistemi të inteligjencës artificiale në shpërndarjen e reklamave.

  1. të mos përdorin taktika, teknika dhe procedura manipuluese për amplifikim të mesazheve politike dhe të mos përdorin të dhëna sensitive për mikrotargetim. Të marrin masa që të dhënat e përdorura për fushata politike të jenë plotësisht në përputhje me ligjin shqiptar për mbrojtjen e të dhënave, duke i kushtuar rëndësi të veçantë minimizimit të të dhënave dhe përpunimit të tyre në mënyrë të ligjshme, të drejtë dhe transparente.
  2. Të shmangin në mënyrë proaktive amplifikimin e narrativave që kanë për qëllim minimin e parimeve demokratike, të nxitura nga subjekte dhe aktorë si brenda dhe jashtë vendit.
  3. Të ndërmarrin hapa aktivë për arritjen e standardeve bazë të sigurisë kibernetike, për të dalluar, parandaluar dhe frenuar sulmet kibernetike, si dhe për të shpërndarë informacion, duke përfshirë edhe përmes organizimit të trajnimeve brendapërbrenda mbi rreziqet ndaj sigurisë kibernetike në zgjedhje.
  4. Të heqin ose të kërkojnë heqjen pa vonesë të çdo përmbajtjeje të publikuar në emër të një pale që ka nënshkruar këtë Kod, nëse ajo përmbajtje është në shkelje të angazhimeve të këtij Kodi Etike. Përmbajtje të tilla duhet të raportohen në platformat online.
  5. Të rrisin ndërgjegjësimin brendapërbrenda strukturave dhe organizatave të tyre për këtë Kod Etike dhe të nxisin zbatimin e tij nga stafi i fushatës, degët e partive, organet e tjera dhe institucionet që lidhen me to. Të inkurajojnë anëtarët që ta nënshkruajnë këtë Kod ose të respektojnë angazhimet e parashikuara në të.
  6. Të marrin masa që stafet e tyre të fushatës dhe degët e partive të tyre të respektojnë me rigorozitet rregullimet kombëtare për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve publike gjatë zgjedhjeve; të rrisin ndërgjegjësimin e anëtarëve të partive për nevojën e respektimit rigoroz të këtyre rregullimeve.
  7. Të promovojnë përmbushjen në mënyrë të pavarur të angazhimeve të parashikuara në këtë Kod Etike dhe bashkëpunimin e plotë me autoritetet mbikëqyrëse, vëzhguesit zgjedhorë ndërkombëtarë dhe vendas, si dhe me aktorë të tjerë të përfshirë në vëzhgimin e pavarur, si mediat, studiuesit akademikë dhe organizatat e shoqërisë civile.
  8. Të diskutojnë për zbatimin e këtij Kodi Etike me kryetarët e subjekteve zgjedhore dhe/ose sekretarët e përgjithshëm dhe degët përkatëse të partive para zhvillimit të zgjedhjeve.
  9. Të bëjnë një vlerësim paszgjedhor dhe të vazhdojnë diskutimet brendapërbrenda subjekteve zgjedhore dhe mes subjekteve të ndryshme zgjedhore pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.
Share This Article
Leave a Comment