KPA e gjeti të drejtë shkarkimin e gjyqtarit Guximtar Boçi për problemet e pasurisë |

14 Min Read

Gjyqtari i Gjirokastrës, Guximtar Boçi u shkarkua nga detyra më 10 maj të vitit 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe fshehje të pasurisë, si dhe kishte cenuar besimin e publikut në transaksionet e disa pronave.

Audio-regjistrimi i publikuar në emisionin “Stop” në vitin 2016, sipas të cilit Boçi akuzohej se kërkoi favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor, nuk u gjet penalizues nga Komisioni, me argumentin se Gjykata e Apelit Vlorë e kishte pushuar çështjen për mungesë të elementëve të veprës penale dhe se dosja ishte në pritje të shqyrtimit në Gjykatën e Lartë. Po ashtu, nuk u gjetën probleme penalizuese për profesionalizmin dhe figurën.

Boçi e ankimoi si të pabazuar vendimmarrjen e KPK, duke ngritur shkaqe për procesin e rregullt ligjor dhe pasurinë. KPA i rrëzoi kërkesat e subjektit lidhur me procesin e rregullt ligjor në KPK, si dhe për pezullimin e procesit, duke çmuar se procesi i kryer në në shkallën e parë të vetingut është i rregullt.

Megjithëse shkaqet e konsideruara nga KPK në vlerësimin tërësor në drejtim të cënimit të besimit të publikut, u gjetën të bazuara, Kolegji çmoi ti vlerësojnë ato në kriterin e pasurisë.

Guximtar Boçi e nisi karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe punoi si gjyqtar dhe kryetar gjykate në Gjirokastër.

Vlerësimi i pasurisë

Në deklaratën veting subjekti ka deklaruar shtëpi banimi me sipërfaqe trualli 1340 m² e objekt ndërtimor me sipërfaqe 121 m² në Gjirokastër, të ndërtuar me të ardhurat e familjes ndër vite. Për truallin ka shpjeguar se e ka përfituar sipas një vendimi të shtatorit 2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Vlera sipas rivlerësimit të kryer nga ZVRPP Gjirokastër, është përcaktuar në shumën 18 milionë lekë. Kjo pasuri është deklaruar prej subjektit në deklaratat periodike vjetore të pasurisë, prej vitit 2003. Vlera e ndërtimit është deklaruar në shumën 1.5 milionë lekë.

Për arsye se nuk janë provuar me dokumentacion kostot përkatëse për ndërtimin e objektit, që sipas deklarimit të subjektit është kryer gjatë viteve 1994 – 1998 nga persona të ndryshëm dhe jo firmë ndërtimi, KPK i ka përllogaritur ato sipas të dhënave të EKB-së për atë periudhë. Bazuar në këtë përllogaritje për ndërtimin prej 121 m2, kostoja ka rezultuar në vlerën totale prej 2.5 milionë lekë. Nga analiza financiare e kësaj pasurie e kryer në shkallën e parë të vetingut, duke konsideruar vlerën e ndërtimit atë të përllogaritur nga KPK, ka rezultuar balancë negative në shumën 1.3 milionë lekë.

Si burim krijimi për këtë pasuri, subjekti ka deklaruar dhe të ardhurat nga shitja e një trualli në shumën 700 mijë lekë. Prej verifikimit të këtij burimi është konstatuar se subjekti ka përfituar një shesh ndërtimi si i pastrehë, ndërkohë që nuk ishte i tillë. Ky truall me sipërfaqe 400 m2 është shitur në vitin 1998 për shumën 700 mijë lekë, ndërkohë që është blerë një ditë më parë nga Bashkia Gjirokastër për 144 mijë lekë. Komisioni e ka cilësuar të paqartë dinamikën dhe ligjshmërinë e dhënies së këtij sheshndërtimi subjektit, ndërkohë që ai dispnonte tjetër banesë dhe truall.

Nisur nga fakti se e ka shitur rreth 5 herë më shumë nga çmimi i blerjes, KPK ka ngritur dyshime se subjekti e ka kryer këtë transaksion për përfitime financiare. Kjo rrethanë është konsideruar prej KPK në vlerësimin tërësor, lidhur me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Subjekti ka pretenduar se vlera e investimit në ndërtimin e banesës prej 1.5 milion lekësh, e llogaritur prej ekspertit inxhinier ndërtimi, nuk mund të vihet në dyshim me ekspertime të njëanshme të Komisionit. Për truallin e përfituar si i pastrehë, ka pretenduar se e ka fituar në zbatim të ligjit të kohës.

Pretendimet e subjektit janë gjetur prej Kolegjit të pambështetura në dokumentacion provues, prej nga është konkluduar se ai gjendet në pamundësi financiare për ndërtimin e banesës në Gjirokastër. Megjithëse balanca negative e konstatuar në KPK është reduktuar, pamundësia ka mbetur në shumën 995 mijë lekë.

Bazuar në të dhënat e administruara, Kolegji i ka dhënë të drejtë Komisionit edhe lidhur me mënyrën e përfitimit të truallit nga subjekti si i pastrehë dhe shitjen një ditë më vonë, disa herë më shtrenjtë. Sipas KPA, subjekti nuk ka qenë i pastrehë në kohën e përfitimit të truallit nga Bashkia Gjirokastër dhe vlerësohet se subjekti e ka kryer këtë transaksion për përfitim financiar dhe jo për nevojë konkrete për strehim familjar. “[…]parashtrimi i subjektit lidhur me bindjen e tij për mospasje të ndalesës ligjore për të kërkuar dhe pajisur me shesh ndërtimi në dy vende me pozitë gjeografike të ndryshme, rezulton të synojë legjitimimin e veprimeve të tij për përfitimin e sheshit të ndërtimit për qëllime fitimi”, arsyeton KPA.

Bashkëshortja e subjektit ka deklaruar në vitin 2017 një apartament me sipërfaqe 71 m2 në Tiranë, me pjesë takuese të saj 100%. Nga hetimi administrativ ka rezultuar një dëshmi e trashëgimisë testamentare e vitit 2017, si dhe një testament notarial i vitit 2013 i babait të bashkëshortes së subjektit. Në vendimin e KPK evidentohet se babai i ndjerë i bashkëshortes së Boçit e ka blerë këtë pasuri në vitin 2012 kundrejt çmimit 9.5 milionë lekë, vlerë e cila është likuiduar jashtë zyrës noteriale.

Komisioni konstaton mungesën e një logjike ekonomike lidhur me investimin e kryer prej babait të bashkëshortes së subjektit në këtë pasuri, pasi ai dhe familja e tij nuk kanë banuar ndonjëherë në Tiranë apo në këtë apartament. Po ashtu, nuk ka rezultuar ndonjë dokumentacion që të provojë dhënien me qira të kësaj banese apo realizimin e ndonjë përfitimi monetar nga ana e vjehrrit të subjektit.

Kjo pasuri rezulton të jetë regjistruar në pronësi të plotë 100% në emër të bashkëshortes së subjektit, jo vetëm duke anashkaluar trashëgimtarët e tjerë, por edhe nënën e saj, të cilës i përkisnin de jure 50% e apartamentit.

Sipas Komisionit, dinamika e transaksioneve të kësaj pasurie nuk gjejnë logjikë shpjeguese, si dhe janë ngritur dyshime të kapërcimit të kufirit të masës së të drejtave reale të disponueshme nga testamentlënësi dhe nga zyra e Agjencisë Shetërore të Kadastrës.

Për arsye të mosparaqitjes të ndonjë prove apo dokumenti të kohës, që të provonte përdorimin e kësaj pasurie nga dikush tjetër përveç vajzës së gjyqtarit Boçi, si dhe mosparaqitjen e dokumentacionit për të provuar burimin e ligjshëm të të ardhurave të vjehrrit të tij për blerjen e pasurisë, Komisioni ka krijuar bindjen se ky apartament është pasuri e fshehur e subjektit të rivlerësimit.

Njëherazi, Komisioni ka vlerësuar se, përpos shpjegimeve jo bindëse, mosveprimi për rregullimin e të metave të procesit të regjistrimit të apartamentit, me qëllim korrigjimin e përshkrimit në certifikatën e pronësisë të pjesës takuese legjitime të vjehrrës prej 50%, përfshirë qasjen pasive të tij dhe të bashkëshortes, edhe gjatë procesit të rivlerësimit, janë konsideruar si rrethana joetike për një gjyqtar, që janë konsideruar në vlerësimin tërësor.

Boçi ka kundërshtuar konkluzionin e KPK dhe i ka kërkuar Kolegjit të arrijë në përfundimin e drejtë dhe ligjor, se bashkëshortja e ka përfituar këtë pasuri në mënyrë të ligjshme dhe se nuk ka indicie që të krijojnë në dukje ndonjë përshtypje për fshehje. Subjekti ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje pasurore me babain e bashkëshortes për të qenë i detyruar të vërtetojë burimin e të ardhurave të krijuara prej tij; se bashkëshortja ka detyrim të tregojë mënyrën e fitimit të pronësisë, por nuk ka asnjë mundësi për të paraqitur dokumentacion për të ardhurat me të cilat është krijuar pasuria; si dhe se apartamenti është fituar me trashëgimi në vitin 2017, që është jashtë kohës së përcaktuar me ligj si periudhë rivlerësimi.

Kolegji konstaton se prindërit e bashkëshortes së subjektit ishin krejtësisht në pamundësi për të financuar këtë pasuri në vitin 2012, përderisa provohet se përfitonin vetëm të ardhurat nga pensioni i pleqërisë në shuma që justifikojnë vetëm përballimin e jetesës së përditshme. “[…]investimin në këtë pasuri, në vlerën prej 9.585.000 lekë, prej vjehrrit të subjektit, në moshën 78-vjeçare, mospërdorimin e kësaj pasurie prej tyre, si banesë apo për dhënie me qira, regjistrimin e pasurisë 100% në emër të bashkëshortes së subjektit, përkundrejt pjesës takuese legjitime prej 50%, çojnë në vlerësimin se ky apartament është pasuri e fshehur e subjektit të rivlerësimit”, konkludon edhe KPA, duke e gjetur të drejtë përfundimin e arritur nga Komisioni.

Komisioni ka konsideruar në vlerësimin tërësor dhe rrethanat për mënyrën e zotërimit të një pasurie në fshat. Sipas KPK, subjekti ka dhënë deklarime kontradiktore për mënyrën e përfitimit të një trualli me sipërfaqe 850 m2, një shtëpie të rrënuar që gjendej aty dhe një livadhi 1000 m2, në një fshat të Gjirokastrës.

Në deklaratën veting dhe gjatë fazave të para të hetimit administrativ, Boçi ka pretenduar se e ka fituar këtë pasuri nga trashëgimia nga brezat paraardhës, ndërsa në vjim ka sqaruar se e ka okupuar. Megjithëse është vlerësuar nga KPK se ky fakt më vete nuk mund të sillte penalizim, është çmuar të mbahet në konsideratë në vlerësim të etikës dhe figurës së një gjyqtari.

KPA e gjen të drejtë vlerësimin e Komisionit, me argumentet se subjekti nuk provoi përfitimin e pasurive në një formë të ndryshme nga ajo e deklaruar me okupim, e cila vlerësohet si një veprim jokorrekt dhe joetik për figurën e një gjyqtari.

Subjekti është gjetur dhe nga Kolegji në pamundësi në shumën 427 mijë lekë për blerjen e një automjeti në vitin 2010 për çmimin 600 mijë lekë, si dhe për krijimin e tre depozitave, një prej të cilave në emër të vajzës. Po ashtu, ka rezultuar me balancë negative në shumën 888 mijë lekë dhe e bija, për blerjen e një apartamenti në Gjirokastër, së bashku me bashkëshortin e saj.

Nga kontrolli i analizës financiare, Kolegji ka arritur në përfundimin se subjekti rezulton me bilanc negativ para vitit 2003 në vlerën 1.5 milionë lekë dhe për periudhën 2003 – 2016 në shumën 126 mijë lekë. Trupi gjykues i KPA thotë se ka mbajtur në konsideratë edhe mungesën e thellë të burimeve financiare të ligjshme, që do të kishte rezultuar për të justifikuar financimin e apartamentit në Tiranë, të konsideruar si pasuri e fshehur e subjektit, nëse ajo do t’i nënshtrohej kontrollit edhe në drejtim të burimeve të krijimit. Gjithashtu, është konsideruar dhe pamundësia e vajzës për apartamentin e saj.

Ndërkohë, arsyet e përdorura nga Komisioni për të konkluduar se subjekti ka cënuar besimin e publikut tek drjtësia, që kanë të bëjnë me okupimin e pronave në fshat dhe mënyrën e përfitimit të truallit si i pastrehë që është shitur një ditë pas posedimit, janë konsideruar prej Kolegjit në drejtim të vlerësimit të pasurisë, duke konkluduar se nuk arrin nivel të besueshëm në këtë kriter. Rrethanat e konstatuara për apartamentin në Tiranë, të regjistruar në emër të bashkëshortes, konsiderohen se përcaktojnë konkluzionin për kualifikimin e kësaj pasurie si një pasuri e fshehur e subjektit dhe për rrjedhojë nuk mund të jetë pjesë e vlerësimit tërësor.

Në përfundim, Kolegji arrin në konkluzionin se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë, duke e lënë në fuqi shkarkimin e tij nga detyra./BIRN

Share This Article
Leave a Comment