Drejtuesi i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka denoncuar përmes një postimi në rrjetet sociale situatën me menaxhimin e mbetjeve spitalore në qytetin e Vlorës.
Në pamjet e publikuara nga Lapaj, shfaqen doreza, maska dhe sende të tjera mjekësore të përdorura, të cilat nuk janë asgjësuar sipas rregullave, duke përbërë një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve si dhe për mjedisin.
Lapaj akuyon Qeverinë për mungesë të standardeve në trajtimin e mbetjeve dhe për mosmenaxhim të duhur të situatës. Ai ka ironizuar deklaratat e Ramës për integrimin europian, duke thënë se qeveria nuk është në gjendje të menaxhojë as spitalin e Vlorës, ndërsa pretendon se ka në dorë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Edi integruesi që ka dalë e flet se si do na japë pasaportë Europiane, ky që na flet se e ka në dorë anëtarësimin në Bashkimin Europian nuk ka në dorë as spitalin e Vlorës që mbetjet spitalore i hedh te fusha “Europiane” e trajtimit të mbetjeve në Vlorë.
Për të mos folur për standardin “europian” të trajtimit të mbetjeve në Vlorë.
Medet…” – shkruan Lapaj.