Një skandal po trondit politikën në Austri dhe në qendër të tij është emërimi i ambasadorit shqiptar, Fate Velaj. Pasi shërbeu si deputet i Edi Ramës, Velaj u emërua nga kryeministri për të shërbyer si kryediplomat në Vjenë.
Ky emërim është kritikuar edhe më përpara në Shqipëri, por përmasat e këtij skandali po tronditin qeverinë dhe politikën austriake. Media investigative “FoB” në Austri ka publikuar një hetim të thelluar për këtë çështje.
Që kur u mësua emërimi i Velajt në Austri, për të zëvendësuar në këtë post ambasadorin Roland Bimo, partia NEOS kishte ngritur pikëpyetje duke theksuar se ai nuk plotëson kriteret.
“Në vitin 2024, emërimi i Velajt si ambasador u diskutua për herë të parë në një seancë nga anëtari i atëhershëm i Këshillit Kombëtar të NEOS, Helmut Brandstätter. Kërkesa tregon se sa të thella janë dyshimet për papërshtatshmërinë e tij. Ajo përmban 14 pyetje të detajuara në lidhje me papajtueshmëritë e mundshme, kërkesat që mungojnë dhe ndikimin politik.
Pyetja fjalë për fjalë thotë: “A është e vërtetë që kandidati i caktuar ushtron një aktivitet tregtar në Austri? A do të ishte kjo një arsye për përjashtim?”
Gjithashtu pyetet: “A dihet nëse kandidati i caktuar ka hequr dorë nga shtetësia austriake apo do të hiqte dorë nga ajo nëse emërohej?”,” shkruan media austriake.
Por pavarësisht kësaj, Velaj e mori akreditimin dhe nisi punën.
“Ajo që është veçanërisht shpërthyese është dyshimi se një anëtar i qeverisë mund të ketë ndërhyrë në emër të Velajt, pavarësisht shqetësimeve ekzistuese,” vijon më tej investigimi.
Por kush ka ndërhyrë që Velaj të vazhdonte punën?
“Një hap i tillë do të kishte peshë edhe në nivel ndërkombëtar. Kjo mund të çojë në tensione diplomatike me Tiranën dhe të hedhë një dritë shqetësuese mbi standardet e politikës së jashtme austriake”.
“Shqipëria është aktualisht nën presion gjithsesi: vetëm muajin e kaluar, prokuroria e posaçme shqiptare arrestoi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj për ryshfet të dyshuar, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash.