Pasi kryeministri Edi Rama vlerësoi kreun e SPAK Altin Dumani si të ndershëm dhe kurajoz dhe shigjetoi kreun demokrat në rubrikën “Sy m’sy” me ndjekësit në Facebook, ka reaguar edhe Sali Berisha.
Në bashkëbisedimin me gazetarët, Berisha tha se Rama duhet t’i fshijë edhe këpucët Altin Dumanit, sepse sipas tij, e ka mbrojtur atë për çdo krim dhe vjedhje.
“Është Edi Rama ai që ka ndërhyrë në mënyrë brutale në shkarkimet dhe emërimet në bashkinë e Tiranës. Kryeministri, nëse ka një aprovim, nëse konstaton se qeveria vendore bëri një akt të paligjshëm, ai mund t’i adresohet gjykatës dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim ekzekutiv ndaj tij. Këto janë shumë të prera. Tani, sigurisht rroftë e qoftë Altin Dumani thotë ai. Po të mos qe Altin Dumani, para se të ishte Erion Veliaj në qeli, duhej të ishte për djegësin Edi Rama”, tha Berisha.
“Po të mos qe Altin Dumani, njëlloj siç është McGOnigali në burg duke vuajtur për ryshfetin që ka marrë nga Edi Rama, duhet të ishte Edi Rama. Po të mos ishte Altin Dumani, nuk do pastrohej Olsi Rama që mashtronte publikisht se ka udhëtuar vetëm një herë me makinën e bosëve të trafikut, në një kohë kur unë kam dokumente se ka udhëtuar pesë herë. Po të mos ishte Altin Dumani, natyrisht Linda Rama, e regjistruar se ka ndërhyrë në tendera për kunatin e saj, Armand Fangu, duhej të ishte para drejtësisë. E si të mos thotë ai, rroftë e qoftë Altin Dumani. Po të mos ishte Altin Dumani, krimi elektoral do të ishte ndëshkuar. Ai nuk ndëshkon dosjet se ato të çojnë te Edi Rama, të dokumentuara dhe të regjistruara në përputhje me procedurat ligjore të vendit. Qoftë dosja e Durrësit, qoftë dosja e Peshkopisë, që të dyja përfundojnë tek Edi Rama. Atëherë me thuaj mua? Ai, edhe këpucët duhet t’i fshijë Altin Dumanit”, shtoi ai.