Dialogu KosovëSerbi/ Vuçiç pret në një takim të hapur të dërguarin e BEsë Sorensen

2 Min Read

Në një postim në Instagram pas takimit, Vuçiç tha se takimi i tij i parë me të dërguarin e ri për dialogun ishte “i hapur dhe i drejtë”.

Ai ka thënë se e ka njoftuar Sorensenin, i cili javën e kaluar e vizitoi Kosovën “për problemet me të cilat ballafaqohen serbët” atje.

“Unë shpreha shqetësim të veçantë për pozitën e vështirë në të cilën ndodhen serbët për shkak të lëvizjeve të shumta përshkallëzuese, të njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës”, shkroi Vuçiç.

Presidenti serb e akuzoi Kosovën se po bën “pengesa të vazhdueshme në procesin e dialogut”, duke ripërsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë “është parakusht për fillimin e një normalizimi thelbësor të marrëdhënieve”.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikon një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës.

Vuçiç tha se pret nga Bashkimi Evropian ta rrisë angazhimin e tij në mënyrë që të ruajë besueshmërinë e dialogut dhe të mbajë rol të paanshëm në këtë proces.

Ai shtoi se qëndrimi i Serbisë është se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet kompromisi mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Në Prishtinë, emisari evropian tha se prioritet për të është që të sigurojë takime mes dy shteteve.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”, tha Sorensen në Prishtinë.

Takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 Dhjetor të vitit të kaluar.

Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.

Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku, i cili i ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit./REL

Share This Article
Leave a Comment