Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua të martën në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Në një postim në Instagram pas takimit, Vuçiq tha se takimi i tij i parë me të dërguarin e ri për dialogun ishte “i hapur dhe i drejtë”.
Ai ka thënë se e ka njoftuar Sorensenin, i cili javën e kaluar e vizitoi Kosovën “për problemet me të cilat ballafaqohen serbët” atje.
“Unë shpreha shqetësim të veçantë për pozitën e vështirë në të cilën ndodhen serbët për shkak të lëvizjeve të shumta përshkallëzuese, të njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës”, shkroi Vuçiq.
Presidenti serb e akuzoi Kosovën se po bën “pengesa të vazhdueshme në procesin e dialogut”, duke ripërsëritur se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë “është parakusht për fillimin e një normalizimi thelbësor të marrëdhënieve”.
Në tetor të vitit 2023, të dërguarit e atëhershëm të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, ia ofruan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Kosova nuk ka pranuar ta themelojë atë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar ta dërgojë këtë draft-statut për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës – veprim që do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 21 mars se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se këtë ia ka thënë edhe Sorensenit gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 17 mars.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikon një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës.
Vuçiq tha se pret nga Bashkimi Evropian ta rrisë angazhimin e tij në mënyrë që të ruajë besueshmërinë e dialogut dhe të mbajë rol të paanshëm në këtë proces.
Ai shtoi se qëndrimi i Serbisë është se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet kompromisi mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Sorensen – në vizitën e tij të parë në Kosovë që nga marrja e detyrës – u takua me udhëheqësit institucionalë dhe me përfaqësuesit e opozitës javën e kaluar.
Në Prishtinë, emisari evropian tha se prioritet për të është që të sigurojë takime mes dy shteteve.
“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”, tha Sorensen në Prishtinë.
Takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.
Kosova dhe Serbia dialogojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Në vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, dhe në nivel kryenegociatorësh.
Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për palët, ka thënë blloku, i cili i ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit./REL