“Shushica nuk dorëzohet”/ Banorët sërish në protestë, dëbojnë makineritë nga kantieri |

3 Min Read

Banorët e luginës së lumit të Vlorës, prej dy vitesh protestojnë në mbrojtje të lumit Shushica, u mblodhën sërish të hënën në Kuç.

Sapo panë që makineritë kishin nisur punën, banorët u mblodhën rreth kantierit duke kërkuar me vendosmëri që mjetet të largohen.

Protesta ja arriti qellimit, duke shënuar një fitore të vogël, por banorët mjetet e rënda mund të rikthehen, e për këtë arsye vendosën të ngrenë një çadër, ku do të qendrojnë në ruajte të lumit.

Asllan, një banor i Kuçit i tha Citizens se komuniteti është kundër ujesjellësit të Himarës, pasi nëse ju merret uji, e gjithë lugina mbetet pa jetë.

“Shushica nuk ka ujë, ne duam që të ndalojnë punimet dhe të mos ndërtohet ujësjellësi aty, nuk ka prurje për të  dërguar ujin në Himarë, do të thahen gjithë fshatrat”, tha Asllani teksa shtoi se tre banorë do të rrinë në çadër me rotacion për të mbikqyrur nëse makinëritë do të rinisin punën.

Besjana Guri aktiviste e organizatës EcoAlbania u shpreh se nuk mund të lejojhet vijimi i punimeve në një Park Kombëtar.

“Vjosën e kemi fituar një herë, por me Shushicën duhet ta fitojmë edhe një herë. Së bashku me banorët kemi provuar çdo formë demokratike proteste nga peticionet deri tek gjykata, dhe kjo ishte një tjetër përpjekje për të ndaluar këtë projekt”, tha Guri për Citizens.

Dy vite më parë, më 13 mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij me rrjedhe të lirë Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi u shpallën Park Kombëtar duke përbërë edhe parkun e parë të një lumi të egër në Evropë.

Por prej kohësh parkut i shfaqen rreziqe të ndryshme. Përpos aktivitetit të kompanive, një nga deget e Vjosës, Shushica është e rrezikuar nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe i ujësjellësit të Himarës, që rrezikon ta thajë lumin.

Me një situatë të ngjashme po përballen dhe banorët e Tragjasit, të cilët protestuan të shtunën kundër një ujësjellësi që planifikohet të ndërtohet në Tragjas , duke marrë ujin nga lumi Izvor për të dërguar në zonat turistike të Dhërmiut, Draleos dhe Drimadhes./ Citizens.al

Share This Article
Leave a Comment