TIRANA- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha foli sot në një konferencë për shtyp për programin ekonomik të PD-së. Berisha tha se në rast se forca e tij politike vjen në pushtet do të ketë 0 taksa për profesionet e lira dhe biznesin e vogël. Ai premtoi dhe uljen 15 në 2% të taksës së shitjes së pronës. Berisha shtoi se PD do të bëjë gjithçka për të ndezur fuqishëm motorët e sipërmarrjes së prodhimit në Shqipëri, me moton ‘Made in Albania’.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Pas një takimi frymëzues, mahnitës në stadiumin e Napolit, me mijëra qytetarë shqiptarë të diasporës në këtë qytet, kthehem më i inspiruar se kurrë në projektin tonë dhe konkretisht në shtyllën e tij të dytë, dhe themelore ‘Made in Albania’. Shtyllë e cila ka qëllime kryesore, prodhimin, prodhimin, prodhimin. Që do të thotë punësim, punësim, punësim për shqiptarët. Që do të thotë rritje rrogash, rritje rrogash, rritje rrogash për shqiptarët.
Pra, ne do të bëjmë gjithçka për të ndezur fuqishëm motorrët e sipërmarrjes së prodhimit në Shqipëri, me moton ‘Made in Albania’. Duhet që prodhimet shqiptare të mbushin tregun shqiptar dhe të vërshojnë në tregjet e tjera. Për këtë qëllim ne jemi të zotuar të garantojmë konkurrueshmëri të ndershme, me ligj dhe të sigurtë. Të garantojmë nivelin më të ulët të taksave në Europë. Të sigurojmë, derregullimin më të madh në interes të biznesit. Të sigurojmë klimën më miqësore dhe kjo jo me fjalë, por me vepra, ligje, vendime konkrete.
Në këtë kuadër, do të zbatohet tatimi 10% mbi të ardhurat nga puna, duke përjashtuar 50 mijë lekët e para. Tatimi 10% mbi të ardhura të tjera, jo nga paga. Zero taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël. Tavani vjetor për tatim fitim, zero për biznesin e vogël, do të jetë 18 milionë lekë, apo 500 euro në ditë. Kufiri i përjashtimit nga TVSH do të jetë po ashtu në masën 18 mln lekë xhiro vjetore, apo 500 euro në ditë. Ulje nga 15 në 2 % të taksës së shitje së pronës dhe për këtë qëllim krijimi i kadastrës fiskale për përcaktimin e çmimeve të referencës.