Nga Amerika Latine, në Afrikë e Europë/ Shtetet nga do votojë diaspora shqiptare

1 Min Read

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të dërgojë përmes postës në 85 shtete, 245.808 fletë votimi, për aq emigrantë sa edhe janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.

Numri më i madh i fletëve të votimit do të dërgohet në Itali, plot 91.210 të tilla, ndërsa më pas vijnë Greqia, Gjermania, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar me një numër të konsiderueshëm emigrantësh të regjistruar.

Shtetet ku KQZ do të dërgojë vetëm një fletë votimi janë Fixhi, Gjeorgjia, Isle of Man, Jordania, Lihtenshteini, Madagaskari, Moldavia, Monako, Filipinet, Koreja e Jugut, Irani, Republika Demokratike e Lao’s dhe Venezuela.

Në listën e gjerë të shteteve të pazakonta, nga ku shqiptarët kanë shfaqur interes për të votuar janë edhe Kazakistani, Liberia, Kili, Ishujt Faroe, India, Brazili, Meksika, Vietnami, Tajlanda, Singapori dhe Malajzia.

Më 5 prill do të nisë procesi për përgatitjen e materialeve zgjedhore dhe më 10 prill pritet që fleta të dërgohet drejt zgjedhësve jashtë vendit.

“Më 5 prill, tek Parku Olimpik nisim përgatitjen e materialeve zgjedhore (mbushjen e zarfeve) që më pas i nisim në diasporë. Ambienti kënaq nevojat e të gjithë palëve”, tha kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.

Share This Article
Leave a Comment