Bashkim Zahaj: Në shumicën e rasteve bordet në ministri janë hermetike dhe përfaqësuese interesash reciproke

6 Min Read

Aktiviteti artistik herë pas here i përball artistët edhe me mungesën e transparencës në institucione, ndërsa kanë shprehur dhe kritika ndaj funksionimit të tyre. Skenografi Bashkim Zahaj shprehet se bordet duhet të jenë të hapura e të ballafaqueshme me produktin e paraqitur, me projektet e propozuara, pasi në shumicën e rasteve këto janë hermetike dhe përfaqësuese interesash reciproke. Në intervistën për gazetën “SOT” skenografi Bashkim Zahaj ashtu si dhe të tjerë artistë më parë shpreh kritika për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe çfarë ndodh me vlerësimin e projekteve, por ai ndalet edhe te probleme të tjera me të cilat përballet komuniteti artistik në vend. Një tjetër shqetësim për skenografin e njohur Bashkim Zahaj është sipas tij edhe mbyllja e dyerve të institucioneve, ku mungojnë dhe konkurset e ndryshme.

Sipas tij edhe krijimi i një panairi me vepra në skenografi dhe arkitekturë nga krijues vendorë do të kishte një vlerë themelore, aty do të shikonte publiku se ka akoma shqiptarë të talentuar. Sipas Zahaj skenografia është domosdoshmëri dhe skenografi gjithashtu, por mosdhënia e fondit të duhur e ka degraduar skenografinë, pasi ajo është materiale pra e përkthyer në vlerë monetare, e cila shpesh mungon. Skenografi Bashkim Zahaj që herë pas here ka reaguar për probleme të ndryshme në fushën e artit dhe kulturës edhe këtë herë ai kërkon më shumë vëmendje ndaj artistëve nga institucionet në vend. Skenografia është art dhe duhet të krijosh, ku një nga profesionistët e kësaj fushe është edhe Bashkim Zahaj, i cili në aktivitetin e tij numëron edhe dhjetëra skenografi të festivaleve të këngës ndër vite.

Komuniteti artistik u “përfaqësua” nga sekserë të artit pranë pushtetit, në dorë të tyre ranë jo vetëm tenderat dhe buxhetet, por edhe opinionet mbi artin (!) si të thuash  “kritika” u përfaqësua nga injorantë jashtë profilit, duke mënjanuar dhe injoruar kontributet e mjaft artistëve në gjini të ndryshme deri aty sa as takime me drejtues të këtyre institucioneve nuk bën dot pale të thërritesh për mendim ose konkurse krijuese as bëhet fjalë. Si rezultat i kësaj marrëdhënie Tirana është mbushur me “vepra” totalisht pa vlerë, që duhen hequr një orë e më parë.

Pa dyshim që tashmë marrëdhëniet on line janë një pengesë serioze midis artit dhe administratës, pasi arti nuk është matematikë, kontakti viziv dhe komunikimi janë bazë për një artist kur i drejtohet një institucioni me veprën e tij. Kjo sot nuk kuptohet fare pasi këto institucione në shumicën e rasteve përfaqësohen nga individë anonimë pa një begraund në fushat e artit. Duke qenë e tillë marrëdhënia, tepër teknike ajo përjashton faktorin krijues të artistit dhe si rrjedhim edhe shpërndarjen e fondeve ( nëse ka). Bordet duhet të jenë të hapëta e të ballafaqueshme me produktin e paraqitur, me projektet e propozuara, pasi në shumicën e rasteve këto borde janë hermetike dhe përfaqësuese interesash reciproke.

Nuk ka se si po të mbahet larg nga këto institucione. Duhet të marrë fund bindja politika në art si përzgjedhje  e artistëve apo artit. Kjo i ka sjellë një dëm të madh artit dhe komunitetit artistik.

Dua të besoj se janë marrë mendime nga specialistë të fushës, artistë pamorë, etj. Nuk kam info pasi personalisht në asnjë takim të tillë nuk jam pjesëmarrës ( për teatrin e ri duhet pa tjetër të ishte një diskutim i gjerë me aktorë, skenografë e regjisorë, teknikë e punëtor skene, por që nuk ndodhi).

Unë sot punoj në disa fusha si skenograf dhe arkitekt, por dyert dhe ofertat e institucioneve janë të mbyllura. Nuk ka konkurse, por dhe kur ka këto i adresohen vetëm studiove të huaja. Krijimi i një panairi me vepra në skenografi dhe arkitekturë nga krijues vendorë do të kishte një vlerë themelore, aty do të shikonte publiku se ka akoma shqiptarë të talentuar që në botë mund të ishin në majë, por që pushteti i mban larg, duke ju besuar vetëm të huajve, ndoshta dhe ne kemi të drejtë nëse do kërkonim një kryeministër nga bota ta bënte më mirë këtë vend.

Skenografia është domosdoshmëri dhe skenografi gjithashtu. Në një vepër ku ky komponent është i përfaqësuar (pasi tashmë i bien për shkurt për mungesë fondesh ose aftësie) nuk e ndan dot regjisorin nga skenografi, pasi ky binom artistik është shfaqja vetë. Skenografi rri gjithmonë pas regjisorit edhe në afishet lajmëruese, i ftuar nderi në premierë, etj, pasi skenografia është arti i një shfaqjeje skenike ose filmike. Mosdhënia e fondit të duhur (shpesh e ulin vetë regjisorët për përfitim vetjak) e katandisin skenografinë në një fondal me dy tre elemente gjoja “modern”. Pikërisht mungesa e këtij fondi e ka degraduar skenografinë pasi ajo është materiale pra e përkthyer në vlerë monetare, e cila shpesh mungon. Më keq akoma kur ajo po zëvendësohet në mënyrë të pakuptimtë nga ekranet led. Skenografitë dhe skenografët dinjitozë kanë gjithmonë në krah një regjisor të tillë, kur kjo nuk realizohet shfaqja është vetëm një grumbull fjalësh.

Intervistoi: Julia Vrapi

Share This Article
Leave a Comment