Arlind Qori, kreu i Lëvizja Bashkë është i bindur se në zgjedhjet e 11 majit, asnjë parti nuk do të arrijë të marrë 71 mandate deputetësh. K
jo situatë, sipas tij, hap disa skenarë të mundshëm. Ai thotë se njëri prej tyre është se partia që del e para nis ofertat për blerje deputetësh, që fatkeqësisht është bërë normale në Shqipëri.
Sipas tij skenari i dytë është ai i bashkëqeverisjes PS-PD, me gjasë nën maskën e një qeverie teknike që do të bëjë gjoja reformat e mëdha të integrimit, por, në fakt, do të çmontojë reformën në drejtësi.
“Skenari i tretë është ai i krizës së vazhdueshme politike, nga ku partitë e vjetra do të dobësohen vrullshëm, dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja”, shprehet ai.
Kjo, shprehet Arlind Qori, është alternativa që do të çojë përpara Lëvizja Bashkë në rast të mospasjes së një shumice të qartë në Kuvendin e ardhshëm.
Z.Qori, si e shihni terrenin parazgjedhor në vend?
Terrenin parazgjedhor e shoh nga këndvështrimi i nevojës historike për ndryshim dhe gatishmërisë së Lëvizjes Bashkë për të qenë instrumenti në duart e qytetarëve për ta sjellë atë. Përditë e më shumë ndjej se qytetarët shqiptarë janë të gatshëm t’i japin dermën sistemit të vjetër politik. Partitë e vjetra i kanë shterur të gjitha potencialet e tyre. Shoqëria shqiptare i ka tejkaluar në të gjitha kuptimet e fjalës. Ato janë hije të së shkuarës së tyre. Kjo krizë e gjithanshme e legjitimitetit të sistemit të vjetër politik është treguesi kryesor se status quo-ja politike në Shqipëri do të ndryshojë. Nga ana tjetër, unë vërej se mbështetja për Lëvizjen Bashkë sa vjen e rritet. Përditë takoj qytetarë në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë, të cilët më shfaqin mbështetjen e tyre. Më ka qëlluar shpesh ta gjej këtë mbështetje edhe aty ku vështirë të ta presë mendja: mes nëpunësve të thjeshtë të shtetit, madje edhe policëve.
Cilat janë pritshmëritë e Lëvizja Bashkë më 11 maj?
Kam besim se Lëvizja Bashkë do ta disafishojë rezultatin e saj zgjedhor të 2023, dhe nuk e kam fjalën vetëm për Tiranën. Ne do të zhvillojmë një fushatë intensive kudo nëpër Shqipëri. Nuk do të lëmë komunitet pa shkuar me aktivistët. Me pak mjete, një pjesë të madhe të kohës me autobusë e linjave urbane e ndërurbane, me një fletushkë të thjeshtë në dorë, ne do të trokasim në çdo derë, do të shkojmë në çdo treg dhe lagje të vendit tonë. Kandidatët tanë për deputetë, aktivistë me potencial të madh politik dhe profesionistë të fushave të ndryshme, do të kërkojnë me krenari votën e qytetarëve pasi Lëvizja Bashkë jo vetëm që nuk ka asnjë nga kusuret e politikës së korruptuar, por ka edhe idetë për të ndryshuar rrënjësisht raportet e padrejta politike, ekonomike e sociale të Shqipërisë.
Konkretisht kë përfaqëson Lëvizja Bashkë?
Lëvizja BASHKË përfaqëson të papërfaqësuarit dhe të keqpërfaqësuarit. Ta nisim me të papërfaqësuarit, me ata për të cilët as bën gjë njeri, as flet njeri në kuptimin politik. Po e nis me punëtorët, qindra mijëra bashkëqytetarët tanë që punojnë e shfrytëzohen në kushte nga më të vështirat dhe për të cilët asnjë parti tjetër në historinë e pluralizmit shqiptar nuk ka thënë asnjë gjysmë fjale, lere më të veprojë. Ne duam të përfaqësojmë njerëzit e punës duke kërkuar përmirësimin dhe zbatimin rigoroz të Kodit të Punës. Nga ana tjetër, jemi partia që ka në qendër të vëmendjes çështjen e pensioneve. Nëntë protestat që kemi zhvilluar muajt e fundit në Tiranë me pensionistët kanë treguar jo vetëm seriozitetin tonë politik, por edhe përgatitjen profesionale për t’i dhënë një herë e mirë zgjidhje problemit të pensioneve. Po ashtu Lëvizja Bashkë përfaqëson edhe të keqpërfaqësuarit, ata për të cilët flasin të gjithë, por askush nuk bën asgjë. Këtu e kam fjalën për të rinjtë, profesionistët e shtresës së mesme, sipërmarrësit e vegjël, bujqit etj. Ne kemi një program qeverisës të mëkëmbjes ekonomike të Shqipërisë, të luftës ndaj kapjes së shtetit dhe korrupsionit, të ngritjes mbi themele të shëndosha të shtetit social dhe shtetit të së drejtës, të konkurrencës së ndershme dhe vlerësimit të punës e sipërmarrjes sipas meritës. Në Kuvendin e ardhshëm Lëvizja Bashkë ka për të qenë mbrojtëse e fuqishme e të drejtave dhe interesave të shtresave të gjera shoqërore.
…Dhe kush mund t’i afrohet Lëvizjes Bashkë?
Lëvizja Bashkë fton çdo qytetar të thjeshtë, çdo njeri që ka jetuar, jeton dhe dëshiron të jetojë përmes punës së vet që të na bashkohet. Jo më kot e kemi quajtur lëvizjen tonë Bashkë. Ne besojmë fort te bashkimi i qytetarëve, i atyre që kanë të përbashkët me njëri-tjetrin të qenit të vjedhur e të nëpërkëmbur nga një shtet i papërgjegjshëm e një oligarki ekonomike grykëse, dhe që kërkojnë që vendi ynë të futet në rrjedhat e modernitetit politik, social e ekonomik.
A do t’i bashkoni votat për krijimin e qeverisë nëse PS së i duhen votat e Lëvizjes Bashkë?
Lëvizjen Bashkë nuk e lidh asgjë me PS, PD apo çdo parti tjetër të korruptuar në Shqipëri. Në këndvështrimin tonë, PS është një parti e ngritur mbi korrupsionin dhe ortakërinë e pisët me oligarkinë ekonomike dhe krimin e organizuar. Është një parti që përmes ligjeve skandaloze si ai i investitorëve strategjikë, koncesioneve të panumërta dhe lejeve çmeritëse të ndërtimit ka realizuar kapjen e shtetit dhe ngritjen e korrupsionit në nivelin më të lartë të këtyre dekadave. Po ashtu, kryeministri Rama më se një herë ka shprehur përçmimin e tij për punëtorët shqiptarë dhe të drejtat në punë, duke i konsideruar punëtorët tanë dembelë dhe duke iu gëzuar faktit që në Shqipëri nuk ka sindikata të fuqishme. Për këto e shumë arsye të tjera, Lëvizja Bashkë nuk do t’i bashkojë ndonjëherë votat me PS as për krijimin e qeverisë dhe as për ndonjë gjë tjetër.
Në cilat raste mund të bashkëpunoni me Partinë Demokratike?
Çka thashë më sipër për PS vlejnë edhe për PD-në. Kur ka pasur në dorë qeverisjen e vendit, PD ka vepruar në të njëjtën mënyrë. Ka bashkëngritur një sistem korruptiv, u është nënshtruar orekseve të oligarkëve (madje edhe në opozitë ka indikatorë që tregojnë se ushqehet prej oligarkëve të ndërtimit, njëlloj si PS) dhe në përgjithësi e ka degraduar shtetin përmes lidhjeve klienteliste. Në këtë kuptim, në Kuvendin e ardhshëm, deputetët e Lëvizjes Bashkë nuk do t’i bashkojnë votat as me PS dhe as me PD për të ndihmuar ndonjërën syresh për të qeverisur. Rruga jonë është rruga e të drejtës dhe përfaqësimit autentik të të drejtave të qytetarëve. Kësisoj do të bëjmë ç’është e mundur që të keqen ta shkulim me rrënjë, pa i përlyer duart dhe ndërgjegjen me asgjë dhe askënd që ka kontribuar në mjerimin e vendit tonë.
Ju keni kritikuar partitë e tjera, por për cilat arsye?
Unë besoj fort tek e vërteta dhe kritika e ndershme. Nëse vërej fenomene korruptive, degraduese apo fyese për ndërgjegjen qytetare, e ndjej për detyrë të shpreh haptazi mendimin tim. Korrupsioni, kapja e shtetit nga oligarkët dhe në përgjithësi kultura politike jomoderne e partive të zakonshme në Shqipëri, zgjojnë tek unë nevojën për të mbajtur qëndrim. Për shembull, më duket fyese për qytetarët shqiptarë që çdo parti tjetër, përveç Lëvizjes Bashkë, pret minutat e fundit për të regjistruar listën e deputetëve dhe shpreson deri në fund që të ketë sukses në merkaton e politikanëve të mbetur pa skuadër. Kjo tregon se partitë e tjera, në rastin më të mirë, janë mishëruese të karagjozllëkut politik. Shqipëria ka nevojë të hyjë në fazën e modernitetit politik. Dhe më lejoni ta them që Lëvizja Bashkë sot renditet krenarisht si e vetmja parti politike mirëfilli moderne në Shqipëri.
Ju garoni i dyti në listën e Tiranës, ndërkohë që lista kryesohet nga pedagogu Redi Muçi. Pse kjo zgjedhje?
Redi Muçi është zgjedhur me votim të fshehtë nga anëtarët e Këshillit Koordinues të Lëvizjes Bashkë. Zgjedhja ime ishte të mos kandidoja i pari në Tiranë. Arsyet kanë qenë disa. Pikësëpari, kam dashur të përcjell një mesazh politik emancipues: nuk duhet të jetë partia në funksion të kryetarit, por kryetari në funksion të partisë. Së dyti, kam menduar se mënyra më e mirë për t’i nxitur qytetarët për të njohur më mirë kapacitetet politike të mëdha që ka Lëvizja Bashkë ka qenë që të mos isha unë qendra e vëmendjes. Përmes disa daljeve të fundit televizive, Redi Muçi ka treguar se ka një profil politik të lartë dhe ka kapacitetin për të qenë një deputet i jashtëzakonshëm në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo vlen edhe për të tjerë kandidatë të Lëvizjes Bashkë.
Si e shihni rezultatin e zgjedhjeve me 11 maj? Besoni se PS do të qëndrojë sërish në pushtet apo ka ardhur koha për rotacion politik?
Unë mendoj se asnjë parti nuk do të arrijë të marrë 71 mandate deputetësh. Kjo situatë hap disa skenarë të mundshëm. Njëri prej tyre është që partia që del e para nis ofertat për blerje deputetësh, që fatkeqësisht është bërë normale në Shqipëri. Afërmendsh, diçka të tillë nuk mund ta bëjnë me deputetët e ardhshëm të Lëvizjes Bashkë. Skenari i dytë është ai i bashkëqeverisjes PS-PD, me gjasë nën maskën e një qeveri teknike që do të bëjë gjoja reformat e mëdha të integrimit, por, në fakt, do të çmontojë reformën në drejtësi. Skenari i tretë është ai i krizës së vazhdueshme politike, nga ku partitë e vjetra do të dobësohen vrullshëm, dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja. Kjo është alternativa që do të çojë përpara Lëvizja BASHKË në rast të mospasjes së një shumice të qartë në Kuvendin e ardhshëm.
Çfarë e dëmton PS-në më 11 maj dhe çfarë e favorizon opozitën që ajo të rikthehet në pushtet?
Të dyja këto parti i dëmton e tashmja ose e shkuara e tyre korruptive. Se çfarë i favorizon është sërish korrupsioni, sepse përmes tij këto parti kanë arritur të thurin një rrjetë marrëdhëniesh klienteliste. Se cila syresh do të dalë e para, këtë as mund ta them, as më duket me interes ta di. Shqipëria do të shpëtojë vetëm nëse dhe kur këto parti arkaike do të dalin nga skena politike shqiptare.”/ Gazeta Panorama