“24 Marsi, dita kur liria mori krahë”, Osmani: Aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes për të mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë

2 Min Read

KOSOVË- Presidentje e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar mëngjesin e sotëm përmes një postimi në “Facebook” në 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë serbe. Osmani shkruan se data 24 mars është dita kur liria mori krahë dhe bota demokratike nuk heshti.

Ajo shtoi se aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë dhe i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Presidentja shton se sot pas 26 vitesh Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur.

“24 Marsi, dita kur liria mori krahë! Ishte dita kur bota demokratike nuk heshti! Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës.

Nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë! 26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur. Lavdi të gjithë të rënëve për liri! Falënderim aleatëve që ndihmuan kauzën tonë për Kosovën shtet të lirë, të pavarur e sovran!” thuhet në reagimin e Osmanit.

Bombardimet e aleancës ushtarake perëndimore ndaj Jugosllavisë, që përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi, nisën pas dështimit të negociatave të vitit 1999 për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, teksa pala serbe refuzoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për paqe në Rambuje.

Bombardimet, që zgjatën 78 ditë, u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte administrimin e Kosovës nga një mision i OKB-së.

Share This Article
Leave a Comment