Balluku u shpreh se do ta vlerësonte në rast se Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) së bashku me kompanitë që kanë kantieret nëpër segmente do t’ia dalin t’i dorëzojnë më shpejt këto vepra.
Mirëpo, ndërsa marsi po i afrohet fundit, punimet në segmentin e tretë të rrugës janë shtyrë edhe me pesë muaj. Në një përgjigje të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) ndaj kërkesës së Citizens.al mbi afatet e punimeve u sqarua se do të përfundojnë në fund të verës.
“Për Segmenti nr.3 punimet priten të përfundojnë në muajin Gusht 2025 e pas kësaj periudhe rruga bëhet e aksesueshme për qytetarët”, u shpreh ARRSH në përgjigje të kërkesës për informacion.
“Pas bërjes efektive të Marrëveshjes së re të kredisë punimet kanë rinisur në gusht 2023”, theksohet më tej.
Deri më tani punimet në lotin e parë dhe të dytë janë realizuar në nivelin 92%.
Në total, duke përfshirë edhe financimet shtesë të bëra nga Banka Islamike për Zhvillim vlera e lotit të parë shkon afër 74 milion dollarë dhe loti i dytë 95 milion dollarë.
Premtim pas premtimi, 16 vite për 43,3 km rrugë
Huaja, e cila synonte të përfundonte veprën infrastrukturore u mor nga banka Islamike për Zhvillim dhe Fondit Saudit për Zhvillim, ndërsa kishte një vlerë totale prej 125 milion dollarësh.
Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Rama, projekti u rishikua, duke shtuar kësisoj kosto të tjera financiare.
Mirëpo, edhe pas përfundimit të këtij afati rruga nuk mbaroi.
Në shtator të vitit 2020, në foltoren e Kuvendit,Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se për të përmbyllur punimet nevojiteshin edhe 105,8 milionë dollarë. Nga këto para, 56,8 milion dollarë për lotin e parë dhe loti ne dytë dhe 49 milion dollarë për lotin e tretë.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARSH) kostoja fillestare për lotin e parë dhe të dytë ka qenë përkatësisht 38 milion dollarë dhe 63,1 milion dollarë. Ndërsa sot, loti i parë ka shkuar 74 milion dollarë dhe loti i dytë 95 milion dollarë.
Sa i takon financuesve, sipas ARSH, nga buxheti i shtetit drejtpërdrejt u financuan vetëm 2.9 kilometra. Ndërsa për lotin e parë dhe të dytë, përkatësisht 30 kilometra, financues ka qene Banka Islamike për Zhvillim. Për lotin e tretë, 10 km financimi është nga Fondi Saudit për Zhvillim.
Edhe tre mandate të qeverisjes socialiste nuk mjaftuan për të përfunduar 43,4 km rrugë, me një kosto të dyfishuar prej fillimit, duke shkuar në mbi 235 milion dollarë. /Citizens.al