SHBA mbetet pa vezë, parashikon të importojë miliona kokrra nga Turqia e Koreja e Jugut

2 Min Read

Administrata Trump ka në plan të importojë miliona vezë nga Turqia dhe Koreja e Jugut dhe është duke zhvilluar bisedime me shtete të tjera për të ulur çmimet rekord të këtij produkti për konsumatorët amerikanë. Sekretarja e Bujqësisë, Brooke Rollins, e cila prezantoi planin para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, tha se po diskutohet importi i qindra milionë vezëve për një periudhë të shkurtër, si pjesë e një “operacioni” për të ulur çmimet e vezëve. Ajo gjithashtu bëri të ditur një plan prej 1 miliard dollarësh për të luftuar një epidemi të gripit të shpendëve që ka detyruar fermerët amerikanë të masakrojnë dhjetëra miliona pula.

Pavarësisht angazhimit të Presidentit Trump për të ulur çmimet, çmimi i vezëve është rritur me më shumë se 65% gjatë vitit të kaluar dhe pritet të rritet me 41% në vitin 2025. Rollins shtoi se Departamenti i Bujqësisë është gjithashtu në bisedime me shtete të tjera për të siguruar furnizime të mjaftueshme me vezë, por nuk specifikoi se cilat vende janë duke u konsultuar.

Shoqatat e shpendëve në Poloni dhe Lituani kanë njoftuar se janë kontaktuar nga ambasadat amerikane për mundësinë e eksportimit të vezëve. Në shkurt, Departamenti Amerikan i Bujqësisë shpalli një plan 1 miliard dollarësh për të trajtuar çmimet e vezëve, duke përfshirë 500 milionë dollarë për masa biosigurie, rreth 100 milionë dollarë për kërkime dhe zhvillimin e vaksinave dhe 400 milionë dollarë për ndihmën financiare për fermerët.

Administrata Trump ka njoftuar se do të ofrojë këshillim falas dhe praktika të mira për fermat komerciale të vezëve, dhe do të mbulojë deri në 75% të kostove për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së gripit të shpendëve.

Share This Article
Leave a Comment