I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, u shpreh optimist më 23 mars para takimit të nivelit të lartë në Arabinë Saudite që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë, dhe tha se ai beson që presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron t’i japë fund konfliktit trevjeçar.
“E ndiej se ai dëshiron paqe”, tha Witkoff për Fox News.
Delegacioni amerikan pritet që më vonë gjatë së dielës të takohet me zyrtarët ukrainas në Arabinë Saudite për mundësinë e një armëpushimi të pjesshëm mes Ukrainës dhe Rusisë. Zyrtarët amerikanë dhe rusë më pas të hënën do të takohen, po ashtu, në Arabinë Saudite.
“Mendoj se të hënën në Arabinë Saudite do të shohim përparim të vërtetë, veçmas pasi kjo prek armëpushimin ndaj anijeve të dy shteteve në Detin e Zi. Dhe duke nisur nga kjo, ne do të shkojmë drejt një armëpushimi të plotë”, tha Witkoff.
I pyetur lidhur me kritikat perëndimore ndaj Putinit, Witkoff tha se ai beson se ka dy anë të medaljes në çdo situatë dhe minimizoi shqetësimet e aleatëve të Uashingtonit në NATO se Moska mund të inkurajohet nga një marrëveshje dhe të pushtojë fqinj të tjerë.
“Thjesht, nuk shoh se ai dëshiron që ta marrë të gjithë Evropën. Kjo është një situatë shumë ndryshe nga ajo e Luftës së Dytë Botërore”, tha Witkoff.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka kthyer në prioritet kryesor përfundimin e luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës më 2022.
Konflikti ka vrarë dhe plagosur mbi një milion persona. /REL