Policia sekuestron 3.5 kg kanabis, arrestohen tre persona në Durrës

2 Min Read

Policia e Durrësit ka sekuestruar 3.5 kg kanabis sativa dhe ka vënë në pranga 3 shtetas.

Uniformat blu bëjnë me dije se këta tre shtetas akuzohen për veprimtari kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së kanabisit.

Lënda narkotike u gjet në bagazhin e automjetit, që po drejtohej nga shtetasi H. Ç.

”Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Spring”.

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi H. Ç., 34 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Gjatë operacionit, pranë mbikalimit të Shkozetit, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin që drejtohej nga shtetasi H. Ç., i dyshuar se po transportonte lëndë narkotike me qëllim shitjen në zonën e Lushnjës. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa, me peshë rreth 3.5 kilogramë. Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i dy shtetasve të tjerë, konkretisht A. K., 43 vjeç dhe G. K., 25 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta dy shtetas i kishin shitur shtetasit H. Ç., në zonën e Spitallës, lagjja nr. 15, lëndën narkotike që iu sekuestrua gjatë këtij operacioni. Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit A. K. dhe G. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një dorezë hekuri”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Share This Article
Leave a Comment