Po shkëmbenin drogën me njëri-tjetrin, arrestohen tre persona në Durrës |

2 Min Read

Policia e Durrësit në kuadër të operacionit “Spring” ka sekuestruar 3.5 kg kanabis sativa.

Policia njofton se lidhur me këtë operacion policor janë vënë në pranga tre persona të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së kanabisit.

Shtetasi Haxhi Çela i kishte blerë shtetasve Ardis Kraja dhe Gerald Kuqi, një çantë me lëndë narkotike, ndërsa sipas njoftimit zyrtar dy tregtarët edhe blerësi kanë përfunduar në pranga.

Njoftimi:

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi H. Ç., 34 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë operacionit, pranë mbikalimit të Shkozetit, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin që drejtohej nga shtetasi H. Ç., i dyshuar se po transportonte lëndë narkotike me qëllim shitjen në zonën e Lushnjës. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa, me peshë rreth 3.5 kilogramë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i dy shtetasve të tjerë, konkretisht A. K., 43 vjeç dhe G. K., 25 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta dy shtetas i kishin shitur shtetasit H. Ç., në zonën e Spitallës, lagjja nr. 15, lëndën narkotike që iu sekuestrua gjatë këtij operacioni.

Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit A. K. dhe G. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një dorezë hekuri.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. 

Share This Article
Leave a Comment